Arbëri

Njëvjetori i pandemisë në Kosovë me rritje rastesh e pa vaksinë

Shifra të larta ditore të të infektuarve e mbi 1.600 të vdekur e gjejnë Kosovën në ditën kur janë bërë fiks një vit që nga regjistrimi i rasteve të para me koronavirus.

Pikërisht më 13 mars të vitit 2020, një 77-vjeçar nga fshati Stubëll i Vitisë dhe një shtetase italiane ishin konfirmuar si dy rastet e para me koronavirus në Kosovë.

Ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media, kishte treguar se 15 raste kanë qenë të dyshuara vetëm 2 raste u konfirmuan pozitive. Ai kishte thënë se pacientët e konfirmuar pozitiv gjendeshin të shtrirë në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

“Në këtë moment që po flasim, është mbledhur edhe Komiteti për Koordinimin dhe Vlerësimin e Situatës me Koronavirus COVID-19, për të diskutuar dhe rekomanduar masat përkatëse konform situatës së re të parapara edhe me Planin e Veprimit”, kishte thënë Vitia.

Kurse, kryeministri i atëhershëm, Albin Kurti, u kujdes që t’u bënte apel qytetarëve që të mos bënin panik, por me kujdes të shtuar t’u përmbaheshin udhëzimeve për parandalimin e koronavirusit. “Ftohen qytetarët që të mos bëjnë panik, por me qetësi dhe kujdes të shtuar t’u përmbahen udhëzimeve për parandalimin e koronavirusit. I ftoj qytetarët për qetësi, që të mos bëjnë panik dhe të mos paraqiten në Klinikën Infektive nëse nuk kanë shenja të sëmundjes. Ministria e Shëndetësisë e ka vënë në dispozicion linjën telefonike për informim e këshillim”, kishte thënë Kurti në mbrëmjen e 13 marsit të vitit 2020.

Qeveria e atëhershme mori masa strikte dhe vendi shkoi drejt mbylljes totale.

Nga marsi i vitit 2020 e tutje, thirrjet nga stafi shëndetësor e krerët institucionalë për mbajtjen e maskës e distancës nuk u ndalën asnjëherë, ndonëse shumë prej këtyre thirrjeve nuk i respektonin as vetë ata.

Por, ndryshimi i udhëheqjes së ekzekutivit dhe ardhja në pushtet e qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti i LDK-së që në fillim u karakterizuan me ndryshimin e të gjitha masave antiCOVID. Hoti hoqi që të gjitha ndalesat, përveç ruajtjes së distancës, mbajtjes së maskave, derisa disa herë e vendosën edhe kufizimin e lëvizjes për qytetarët, por me një orar më fleksibil.

E, një vit pas, Kosova numëron 76 mijë e 688 të infektuar, nga 351 mijë e 523 persona të testuar për këtë virus.

Numri i atyre që nuk e fituan betejën me virusin deri më tani është 1 mijë 696.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, 8 persona kanë vdekur e 578 raste të reja me koronavirus janë konfirmuar.

Prishtina vazhdon të jetë komuna më e prekur, me rreth 30 mijë raste dhe mbi 250 të vdekur.

Por, një vit përballje me pandeminë qytetarët e Kosovës i gjen më ndryshe se qytetarët e shumicës së vendeve të tjera, pasi që Kosova ende nuk ka pranuar asnjë dozë të vaksinës antiCOVID, ani pse disa herë u premtua se kjo do të ndodhë shumë shpejt.

E pikërisht vaksinën, ministri në detyrë, Armend Zemaj, e fut në mesin e sfidave dhe problemeve që kanë hasur me menaxhimin e pandemisë. Zemaj, përmes një përgjigjeje me shkrim për KOHËN, ka thënë se përkundër vështirësive dhe shumë mungesave që janë evidentuar, pret që gjatë këtij muaji të arrijnë dozat e para të vaksinës në Kosovë.

“Pres ardhjen e vaksinave gjatë marsit dhe prillit, si dhe ruajtjen e disiplinës qytetare që të mos përhapet virusi. Ende arma më e fortë kundër virusit është pengimi i përhapjes. Pres që akterët që merren me zbatimin e ligjit kundër pandemisë ta zbatojnë ligjin strikt si dhe respektimin e masave antiCOVID”, ka thënë Zemaj në një përgjigje për KOHËN.

Tutje, ai ka renditur disa nga sfidat me të cilat janë përballur në kuadër të menaxhimit të pandemisë.

“Sfida kishte të bënte me të panjohurën rreth virusit, furnizimet me teste, krijimin e kushteve për ta përballuar pandeminë, personelin shëndetësor, hapësirat, pajisjet e mangëta dhe shtimin e pajisjeve për pacientët, oksigjenin dhe një mori mungesash që duheshin evituar. Së fundmi, furnizimi me vaksina dhe vaksinimi”, ka thënë ai.

Muaji nëntor i vitit të kaluar ishte edhe piku kur vendi u përball me numër të lartë të të infektuarve e të vdekurve nga ky virus. Brenda 24 orëve, numri i të infektuarve kalonte njëmijëshin.

Por, edhe pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, për shkak të tubimeve të mëdha e shkeljeve të masave nga partitë politike, Kosova ditëve të fundit është duke u përballur më përkeqësim të situatës pademike.

Ashpërsim masash, lehtësim masash, mbyllje, hapje, kufizime të lëvizjes, e premtime të shumta shoqëruan qytetarët e Kosovës gjatë këtyre 12 muajve.