Prej dy ditësh, në Klinikën e Onkologjisë njëra nga aparaturat e rrezatimit është jashtë funksionit, duke lënë një pjesë të pacientëve pa trajtim ditor. Në Klinikë dhe në SHSKUK nuk kanë treguar për defektin dhe as për kohën kur pritet të riparohet aparatura. E pacientët treguan se u është thënë të presin derisa të njoftohen përmes telefonit, për rregullimin e pajisjes
Që nga e mërkura njëra nga dy pajisjet për rrezatim në Klinikën e Onkologjisë është me defekte dhe jashtë funksionit, kanë thënë burime të KOHËS.
Radioterapia, që realizohet nëpërmjet kësaj pajisjeje, ka qëllim parandalimin e rritjes së qelizave të kancerit e edhe shkatërrimin e tyre.
Pacientë me të cilët ka biseduar KOHA kanë treguar në kushte anonimiteti se u janë shtyrë seancat ditore dhe se janë në pritje të telefonatës nga klinika për të marrë trajtimin.
“Qe dy ditë nuk është duke punuar. Kanë thënë që e kanë porositur atë pjesën që po prishet, e tash derisa të vijë”, ka thënë një nga pacientët.
Edhe burime brenda kësaj klinike thanë se do t’i njoftojnë pacientët përmes telefonit në momentin që ajo të rregullohet.
Sipas tyre, rreth 80 pacientë kanë marrë shërbim në aparaturën që këtë javë është prishur dhe shprehën drojën se mund të rriten listat e pritjes për këtë shërbim.
Por drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, përmes telefonit e ka mohuar se pacientët nuk kanë marrë trajtim që nga e mërkura. Porse për deklarim më të gjerë ka kërkuar që paraprakisht të merret leje nga SHSKUK-ja, e cila gjatë ditës nuk u lëshua nga ky institucion.
Në SHSKUK nuk janë përgjigjur as në pyetjet e KOHËS përkitazi me defektin e aparaturës dhe për kohën kur pritet që të riparohet.
Në korrik të vitit të kaluar, pjesa më e madhe e aparaturave të rrezatimit në Klinikën e Onkologjisë pati dalë jashtë funksionit për gati dy javë, pasi ishin dëmtuar nga depërtimi i ujit pas vërshimeve, që përmbytën bodrumin ku janë të vendosura ato.
Në atë periudhë, në klinikë kanë thënë se 230 ishte numri total i pacientëve me kancer, përfshirë edhe ata në listë të pritjes. Për ato dy javë ishte paralajmëruar nga Ministria e Shëndetësisë dërgimi i pacientëve për trajtim në Shqipëri, porse një gjë e tillë nuk ishte realizuar.