Arbëri

Arrestohet një inspektor i punës, zihet në flagrancë duke marrë ryshfet

Sipas Prokurorisë, inspektori i Inspektoratit të Punës dyshohet se paratë i ka pranuar nga një biznes për ta amnistuar për shkak se nga inspektimi ka rezultuar se disa punëtorë nuk i ka të deklaruar. E tre zyrtarët e Komunës së Prishtinës, të arrestuar të martën po për ryshfet, janë pezulluar nga puna, ndërsa në mbrëmje me kërkesë të prokurorisë, gjykata ua ka caktuar atyre masën e paraburgimit prej një muaji

Nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrje ryshfeti”, është arrestuar të mërkurën një inspektor i Inspektoratit të Punës.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, arrestimi i tij është bërë pas zhvillimit të masës së fshehtë, asaj të simulimit, duke u zënë në flagrancë.

“Prokurori në koordinim me Policinë dhe Gjykatën Themelore në Prishtinë me zbatimin e masave të veçanta hetimore kanë arrestuar në flagrancë një inspektor në Inspektoratin e Punës, i njëjti dyshohet të ketë kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit”, në bazë të nenit 421 të KPRK-së. Prokurori i shtetit është duke i ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë çështje penale. Dhe po ashtu prokurori brenda afatit ligjor do ta parashtrojë kërkesën me shkrim para gjykatës kompetente për caktimin e ndonjë prej masave ndaj të dyshuarit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë, inspektori dyshohet se paratë i ka pranuar nga një biznes për ta amnistuar, pasi gjatë inspektimit të tij është konstatuar se disa punëtorë nuk i ka të deklaruar.

E për të njëjtën vepër penale, “Ryshfet”, Prokuroria Themelore në Prishtinë të martën ka arrestuar tre zyrtarë të Shërbimeve Publike të Komunës së Prishtinës. Për ta, Prokuroria ka dorëzuar në gjykatë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit. 

Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Prishtinë të mërkurën të treve ua ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji. Në njoftimin e Gjykatës është bërë e ditur se caktimi i paraburgimit është e vetmja masë adekuate për rrjedhjen e papenguar të procedurës penale në këtë çështje juridiko-penale.

Njëri prej këtyre tre zyrtarëve është kapur duke i marrë 2 mijë euro ryshfet nga një punëkryes që vetë komuna e ka kontraktuar për mirëmbajtje të rrugës, në mënyrë që t’ia përshpejtonte pagesën për punët e realizuara. 

Kryetari Përparim Rama të mërkurën ka njoftuar se janë pezulluar nga puna të tre zyrtarët e Komunës.

“Pezullimi nga puna do të jetë në fuqi deri në përfundimin e procedurave hetimore dhe gjyqësore, ndërkohë që ne ritheksojmë përkushtimin për ligjshmëri, transparencë dhe zero tolerancë ndaj korrupsionit. Institucioni i kryeqytetit do të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme administrative në përputhje me ligjin”, ka bërë të ditur Rama.

Në postimin e së mërkurës, Rama ka thënë se askush nuk është mbi ligjin.