Arbëri

Nismë në Kongresin Amerikan për ta bërë prioritet anëtarësimin e Kosovës në NATO

Në Kongresin amerikan, kongresisti republikan Brian Mast ka paraqitur një amendament me të cilin kërkohet që të bëhet prioritet anëtarësimi i Kosovës në NATO. Sipas organizatës “Albanians for America”, ky hap, i mbështetur edhe nga kongresisti Keith Self, njihet si një nga ndryshimet më të rëndësishme për rajonin që nga viti 2002

Kongresisti republikan i Shteteve të Bashkuara (SHBA), Brian Mast, ka paraqitur një amendament në Kongres që synon të vendosë anëtarësimin e Kosovës në NATO si një nga prioritetet kryesore të politikës amerikane në Ballkan.

Sipas organizatës “Albanians for America”, ky hap, i mbështetur edhe nga kongresisti Keith Self, njihet si një nga ndryshimet më të rëndësishme për rajonin që nga viti 2002.

Amendamenti përfshin disa pika kyçe, duke përfshirë prioritet në emërimin e ambasadorëve amerikanë në vendet e Ballkanit, përfshirë Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën, si dhe rekomandime konkrete për mbështetjen e pavarësisë së Kosovës dhe integrimin e saj të ardhshëm në NATO.

Amendamenti gjithashtu përfshin një plan për përmirësimin e sigurisë energjetike në rajon, përfshirë zgjerimin e rrjetit të tubacioneve të Kroacisë dhe zëvendësimin e energjisë ruse me burime të tjera, si dhe mbështetje për implementimin e programit të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) në Kosovë, për të rritur sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin rajonal.

Mast gjithashtu ka propozuar që Shqipëria dhe Kosova të inkurajohen që të zhvillojnë bazat e tyre të industrisë së mbrojtjes dhe të rrisin shpenzimet kombëtare për mbrojtje në përputhje me objektivat e NATO-s, duke konfirmuar rëndësinë strategjike të pranisë së forcave amerikane në Kosovë si një shtyllë sigurie dhe stabiliteti për Ballkanin Perëndimor. Po ashtu, në dokument parashikohet vazhdimi i implementimit të programit të Kontrollit të Eksporteve dhe Sigurisë Kufitare, duke përfshirë pajisjet e inspektimit jo-intruzive në pikën kufitare të Merdarit me Serbinë për parandalimin e trafikut të armëve të paligjshme.

Organizata “Albanians for America” ka përshëndetur këtë nismë, duke e quajtur hap historik dhe duke theksuar se amendamenti njeh rëndësinë strategjike të Ballkanit dhe vendos politika të qarta për mbështetjen e Kosovës dhe stabilitetin rajonal.

“Kjo është një nismë historike që për herë të parë në dy dekada vendos prioritet politik për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Ne jemi krenarë që komuniteti ynë ka qenë pjesë e këtij procesi”, thuhet në njoftimin e organizatës.

Amendamenti është pjesë e një procesi ligjor në Kongres, i cili përfshin shqyrtim nga komisionet përkatëse dhe votim nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati. Vetëm pasi të miratohet nga të dyja dhomat, amendamenti mund të hyjë si pjesë e ligjit ose udhëzimit zyrtar të politikës amerikane.