Nisma Socialdemokrate në Komunën e Lipjanit ka kritikuar qeverisjen lokale të LDK-së se po asfalton rrugica mbi bazë të ngjyrimeve politike.
Manush Shamolli, kuvendar në Kuvendin Komunal në Lipjan nga radhët e Nismës, nëpërmjet një reagimi ka thënë se asfaltimi i rrugicave në fshatin Shalë e dëshmon më së miri keqmenaxhimin e parasë publike nga ekzekutivi i komunës derisa po diskriminohen banorët.
“Përveç cilësisë së dobët të punimeve këto investime po shkojnë̈ vetëm te militantët e subjektit të LDK-së. Kemi raste kur disa rrugica asfaltohen me nga katër metra dhe në anën tjetër disa të tjera me nga tri metra. Por më e keqja është se dikujt po i asfaltohet edhe hapësira para derës së shtëpisë, ndërkaq dikujt nuk po i asfaltohet fare vetëm se i takojnë subjektit politik të Nismës Socialdemokrate”, ka kritikuar Shamolli.
Ai ka sqaruar se Nisma ka pranuar ankesa nga vetë banorët se dikujt nuk po i asfaltohet rrugica vetëm pse e kanë Nismën në zgjedhjet e fundit lokale.
“Sipas ankesave të banorëve, dikujt nuk po i asfaltohet rrugica vetëm pse janë votues pikërisht të Manush Shamollit, prandaj veprimet e tilla janë shqetësuese për të gjithë. Qytetar të nderuar të Shalës, kërkoj nga ju që të jemi të gjithë të bashkuar pavarësisht bindjeve politike dhe kërkoj që mos të ketë thashetheme dhe akuza ndaj njëri tjetrit për përfitime politike nga individ të caktuar”,ka shtuar Shamolli.
Sipas tij, projektet e tilla nuk duhet me qenë shkaktar që banorët e Shalës të përçahen apo të krijojnë urrejtje ndaj njëri-tjetrit sepse fajtore për keqmenaxhim të parasë publike është vetë ekzekutivi i komunës i cili po bën diskriminim me projektin për asfaltimin e rrugicave.