Arbëri

Nisin homazhet te Kompleksi Memorial “Adem Jashari”

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në nder të 25-vjetorit nga rënia heroike e komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij. Homazhet e tij në nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haradinaj i mbajti në orën 10:00.

Në adresimin e tij për media, Haradinaj ka thënë se në këtë ditë nderohen komandanti Adem Jashari, familja e tij dhe të gjithë të rënët për liri.

Haradinaj ka thënë se në Prekaz ka ndodhur kthesa e vetëdijes kombëtare për çlirim.

“Sot me 5 mars, me bashkëluftëtarët nga gjitha trevat e Kosovës dhe trojet shqiptare, me kolegë deputetë, kryetarë komunave, me të rinj e të reja nderojmë në Prekaz, në vendin ku ka ndodhur kthesa e vetëdijes sonë kombëtare, dhe dijes për çlirim ku i gjithë popull pranoi kushtrimin prej këtu për t’u përballur e për të luftuar deri në çlirim. Në këtë vend pushojnë legjendarët tanë, komandanti ynë Adem Jashari, familja Jashari, por po ashtu prej këtij vendi nisemi më të fortë çdoherë për ato sfida dhe punë që na presin, i përjetshëm kujtimi për të rënët në liri, për familjen Jashari, për komandantin Adem Jashari”, ka thënë ai.

Haradinaj në homazhet e së dielës ishte i shoqëruar nga deputetët e AAK-së, Bekë Berisha e Shemsedin Dreshaj.

Në 25-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars do të organizojë manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.