Në Kovragë të Istogut, si pasojë e reshjeve të shumta atmosferike gjatë së hënës, janë shkaktuar dëme në prodhimet bujqësore. Më të prekurat janë shalqiri, misri dhe specat.
Fermeri Arton Gjoci ka thënë se atij i janë shkaktuar shumë dëme, veçanërisht në shalqinj dhe kumbulla, të cilat edhe i ka kultivuar.
"Për 35 minuta e ka shkaktuar këtë dëm, duke na shkatërruar mundin e gjashtë muajve që kemi punuar. Një ditë më parë kishim filluar edhe me i dërgu në treg për shitje, por për 35 minuta u shkatërrua gjithçka. Shpenzimet janë të mëdha. Bashkë me djalin e mixhës i kemi rreth dy hektarë e 80 ar bostan, ndërsa kemi edhe një hektar me kumbulla. Edhe ato janë dëmtuar pothuajse krejt", ka thënë Gjoci.
Gjoci ka treguar se dëme ka pasur edhe në vitet e kaluara, por në përmasa më të vogla, ndërsa thotë se për to ende nuk është kompensuar.
Ai pret që këtë herë të kompensohet nga Ministria e Bujqësisë.
Edhe
Gegaj: Të gjitha kulturat bujqësore në Istog janë shkatërruar nga breshri
Një ditë pas breshrit që ka dëmtuar të mbjellat, në Kovragë të Istogut bujqit janë vizituar nga përfaqësues të Qeverisë dhe ata të Komunës.
Kryetari i Istogut, Ilir Ferati, ka thënë se vlerësimi i dëmeve ka filluar dhe pritet të përfundojë brenda shtatë ditësh.
“Qëllimi është t’u afrohemi fermerëve në këtë rast ku dëmtimet janë të rënda, e t’ju garantojmë që bashkërisht me ministrin e Bujqësisë të cilin e falënderoj për vizitën dhe qasjen që pati, do t’ju qëndrojmë afër. Këtë e bëjmë me qëllim që të mundohemi t’i kompensojmë, e në të njëjtën kohë t’i motivojmë dhe stabilizojmë këto ekonomi familjare, të cilat nuk janë të vogla”, ka thënë Ferati
E, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, është shprehur se masat që do të merren, do të publikohen javën e ardhshme.
"Ne do të punojmë paralelisht në dy drejtime, e para është aspekti procedural që e ndjek kryetari dhe e dyta është që me të gjithë njerëzit më të rëndësishëm të Ministrisë së Bujqësisë janë bashkë me mu dhe nga java tjetër do t’i propozojmë masat se në çfarë forme mund t’i ndihmojmë të gjithë ata që kanë nevojë", ka thënë Muja
Muja ka shtruar nevojën që të rritet vetëdija për sigurimet bujqësore.
Edhe
Fermeri në Istog: S'ka shpëtuar asgjë nga 7 hektarët e mbjellë
Nga breshri i një dite më parë janë prekur edhe Komuna e Pejës, Klinës dhe Deçanit, por më së rëndi ajo e Istogut.
E një stuhi që ka përfshirë disa komuna të Kosovës, të martën, duke lënë pas edhe dëme materiale. Të tilla janë evidentuar edhe në Suharekë. Kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj, ka publikuar disa video e fotografi që tregojnë për pullaze të rrëzuara e pemë të thyera në qytet, disa nga të cilat kanë dëmtuar edhe automjetet e parkuara. Reshjet kanë vërshuar disa rrugë në Pejë, Drenas, e komuna të tjera.