Arbëri

Basha: Jemi dakorduar që nënkryetarët të votohen në pako

Dimal Basha

Foto: Driton Paçarada

(E përditësuar 18:55) - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka thënë se me përfaqësuesit e partive politike në takim të martën është dakorduar që nesër në seancën konstituive të votohen nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës në pako.

Basha ka thënë se ka konsensus mes partive për të gjitha pikat që konstituojnë Kuvendin. Paralajmëroi se institucionet do të themelohen shumë shpejt.

“Pas të gjitha diskutimeve, kishte konsensus të plotë dhe ishte propozim i të gjitha partive politike apo liderëve të partive të komuniteteve jo shumicë, joserbe. Propozim i tyre ishte i qartë, që të shkohet në votim në pako, pra në pako të votohet për pesë nënkryetarët. Ka pasur konsensus për raportin, kryetarin/en, ka pasur konsensus të votohet në pako për të pesë nënkryetarët. Pritet themelimi i institucioneve shumë shpejt, pastaj të vazhdohet edhe me votimin e qeverisë dhe pastaj sigurisht siç e dini na pret votimi i buxhetit, i marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat e kanë një afat”, ka thënë Basha pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të martën në mbrëmje.

Çështja e nënkryetarit serb ishte një pjesë e bllokadës institucionale që zgjati për gati 12 muaj vitin e kaluar. Lëvizja Vetëvendosje insistonte që nënkryetari të mos jetë nga Lista Serbe. Përfundimisht, si nënkryetar u pati votuar Nenad Rashiqi me votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Por në fillim të këtij muaji, Gjykata Kushtetuese e publikoi aktgjykimin me të cilin i ka dhënë të drejtë të pakufizuar Listës Serbe, si shumicë brenda komunitetit serb, që të propozojë kandidatin për nënkryetar Kuvendi, edhe pas ezaurimit të të gjithë emrave të deputetëve të saj.


Nis takimi për seancën konstituive

Ka nisur takimi i kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, me përfaqësuesit e partive politike rreth seancës konstituive që do të mbahet nesër, 11 shkurt.

Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë shkuar Vlora Çitaku e Përparim Gruda, nga Lidhja Demokratike e Kosovës Kujtim Shala. Kurse nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i pranishëm është Besnik Tahiri. Lëvizja Vetëvendosje përfaqësohet nga Albulena Haxhiu.

Po ashtu të pranishëm janë edhe përfaqësuesit nga komunitetet joshumicë.

Caktimi i seancës u bë një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Presidentja Vjosa Osmani thirri seancën për 11 shkurt në orën 12:00 pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare dhe duke marrë parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.