Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nis aksioni për largimin e mbeturinave vëllimore në 72 lokacione të kryeqytetit

Nis aksioni për largimin e mbeturinave vëllimore në 72 lokacione të kryeqytetit

Komuna e Prishtinës ka identifikuar 72 lokacione, ku janë vendosur prej muajsh grumbuj të mbeturinave vëllimore. Drejtoria e Shërbimeve Publike ka nisur të shtunën një aksion për largimin e tyre.

Ka nisur aksioni për grumbullimin e mbeturinave vëllimore në mbi 72 lokacione në kryeqytet.

Veprimi është ndërmarrë, pak kohë pasi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, largoi disa drejtorë nga radhët e LDK-së dhe i zëvendësoi me të PDK-së, subjekt politik me të cilin lidhi marrëveshje koalicioni.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Drejtori i ri i Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, tha në nisje të aksionit se janë finalizuar procedurat ligjore për marrjen e lejes mjedisore komunale për vendosjen e qendrës transitore të mbeturinave vëllimore e pastaj të zhvendosen në deponinë qendrore.

“E mira është që në një kohë të shpejtë po angazhohemi që të mos këtë mbeturina vëllimore në kryeqytet. Kemi mbi 72 lokacione që janë identifikuar që kanë mbeturina vëllimore dhe tani me kompanitë në një bashkëpunim të gjerë me kompanitë publike në Komunën e Prishtinës po e zhvillojmë këtë aksion”, ka thënë Retkoceri.

Kryetari Rama pati njoftuar në mars se Komuna e ka caktuar lokacionin zyrtar në rrugën “Qëndresa” për deponimin e mbeturinave inerte dhe vëllimore.

Por, pak javë më vonë, ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, bëri të ditur se Inspektorati i Ministrisë ka konstatuar se Komuna nuk është pajisur me lejet mjedisore që kërkohen.

Tani kur leja është siguruar, drejtori Retkoceri tregoi se aksioni për grumbullimin e mbeturinave vëllimore ka nisur nga shkolla “Gjergj Fishta” dhe Parku i Taukbahçes, ku do të largohet deponia e parë.

“Pesë ekipe në të njëjtën kohë janë të shpërndara në shumicën e lagjeve. Do të fillojmë nga lagjet qendrore urbane, nga lagjet e Prishtinës së vjetër, lagjia Dardania, Ulpiana, Lakrishta, Muharrem Fejza, Mati 1, Arbëria, Tophanja dhe kështu me radhë. Pastaj do të vazhdojmë duke e zgjeruar shërbimin e grumbullimit të mbeturinave inerte”, shtoi ai.

Banorët e kryeqytetit, sidomos gjatë këtij dhe vitit të kaluar, janë përballur për muaj të tërë me grumbuj mbeturinash vëllimore në lagje të ndryshme. As mbeturinat e tjera nuk janë hequr gjithherë në kohë, shkaku i përplasjeve të autoriteteve komunale dhe Kompanisë “Pastrimi”, shkaku i kontraktimit edhe të operatorëve privatë.