Arbëri

Niko Peleshi – kryeparlamentar i ri i Shqipërisë

Niko Peleshi

Niko Peleshi është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.

Në votimin e fshehtë ai mori 84 vota pro, ndërsa tre ishin kundër.

Opozita e ka kundërshtuar propozimin për Peleshin kryeparlamentar dhe bojkotoi votimin. Në kuti ka vendosur pankarta kundër qeverisë Rama 4.

“Besimi që më dhatë sot duke më zgjedhur Kryetar të Kuvendit të Shqipërisë është një nder dhe përgjegjësi e madhe, të cilën e pranoj me përulësi e përkushtim”, u shpreh Peleshi pas betimit, transmeton tch. Ai ftoi kolegët “të vendosin një standard të ri të respektimit të Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe Kodit të Etikës”.

“Krahas qeverisë dhe parlamentit, standardet e reja evropiane duhet të rroken nga e gjithë shoqëria, nga të rinjtë, studentët, profesionistët apo sipërmarrësit. Duhet ndërtuar një mendësi e tërë evropiane”, ka thënë kryetari i ri i Kuvendit në Shqipëri.

Pas përzgjedhjes, Peleshin e ka uruar kryeparlamentari i Kosovës, Dimal Basha. Ai ka shkruar në Facebook duke thënë se kuvendet e dy shteteve kanë qenë gjithmonë dhe do të mbeten pranë njëri-tjetrit “duke forcuar bashkëpunimin institucional dhe duke ndërtuar ura vëllazërie për të mirën dhe mirëqenien e qytetarëve tanë”.

“Kryetarit të ri të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë i uroj punë të mbarë dhe suksese të shumta. Mezi pres të takohemi e të bashkëpunojmë ngushtë për të thelluar lidhjet tona institucionale dhe vëllazërore, ashtu siç edhe presin dhe e meritojnë qytetarët tanë në të dy anët e kufirit”, ka shkruar Basha.