Mungesa e mirëmbajtjes së automjeteve me anë të të cilave bëhet bartja e pacientëve brenda klinikave të QKUK-së është problematizuar javën e shkuar në mbledhjen e Bordit të SHSKUK-së. Sipas njërit prej anëtarëve, ato nuk janë në gjendje të rregullt dhe se kontratat për mirëmbajtje dhe servisim nuk janë respektuar. Në QKUK thanë se është ngritur një komision që do të analizojë zbatimin e kontratës. E në kompaninë e kontraktuar theksuan se servisojnë vetëm automjete që ua sjell QKUK-ja.
Bordi i SHSKUK-së e ka konsideruar shqetësuese gjendjen teknike të autoambulancave të Qendrës Klinike Universitare.
Çështja e mirëmbajtjes së automjeteve me anë të të cilave bëhet bartja e pacientëve brenda klinikave u ngrit për diskutim javën e kaluar nga njëri prej anëtarëve të bordit, Dren Boshnjaku.
Boshnjaku tha se si mjek edhe vetë është dëshmitar i gjendjes jo të rregullt të autoambulancave, për çka kërkoi nga menaxhmenti i QKUK-së një mbikëqyrje të kontratës.
E drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, javën e kaluar në bord deklaroi se nuk e kishte këtë informatë dhe u zotua se konform gjetjeve do të ndërmarrë veprime.
E një javë pas në SHSKUK thanë se ende janë në proces të vlerësimit të situatës.
“Drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së ka formuar një komision për të vlerësuar pretendimet e ngritura në mbledhjen e Bordit drejtues të ShSKUK-së. Komisioni do të bëjë analizën e kontratës, shërbimet që janë ofruar dhe ofrohen nga operatori ekonomik, sipas pretendimeve të ngritura”, thuhet në përgjigje.
Në dhjetorin e vitit të shkuar QKUK-ja ka lidhur kontratë për servisimin dhe mirëmbajtjen e automjeteve me kompaninë “Sfishta auto home”.
Në këtë kompani thanë se në bazë të kontratës janë rregulluar të gjitha automjetet e sjella nga QKUK-ja.
“Sipas kontratës duhet që vetura të sillet në servis dhe i jepet diagnoza. Sa herë i sjellin ata ne i bëjmë. Nuk është e rëndësishme çka ka, në bazë të kontratës çka ka të prishura, rregullohen. Në servis është vetëm një për momentin. Realiteti është ky: çdo veturë që vjen në servis i jepet diagnoza, bëhet plani i punës dhe vazhdohet me punë. Ne nuk mundemi, për shembull, të japim diagnozë pa qenë vetura në servis. Ne nuk mundemi t’i rregullojmë pa na i sjellë këtu, pa na dhënë urdhër të punës. Problemi nuk është tek ne. Me dashtë QKUK-ja na i sjell një, dy, pesë, sa dëshiron na i sjell. Ne nuk mundemi me e kushtëzu, sillna apo mos na i sill veturat”, ka theksuar Arsim Sfishta nga kjo kompani.
Në SHSKUK treguan për numrin e autoambulancave që janë servisuar dhe mirëmbajtur deri më tani.