Arbëri

Ngrihen shqetësime për moscertifikimin e kandidatëve për deputetë të Listës Serbe

Është përcjellë me reagime moscertifikimi i listës së kandidatëve për deputetë të Listës Serbe në mbledhjen e së mërkurës të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në Ambasadën gjermane në Prishtinë e kanë kualifikuar veprimin si sjellje penguese që ka ndikim në reputacionin ndërkombëtar të Kosovës. Në “Demokracia në Veprim” vlerësuan se vendimi e minon besimin në proces zgjedhor. E kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se moscertifikimi i kandidatëve për deputetë të Listës Serbe nga KQZ-ja nuk është çështje e tij

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka pranuar të japë koment lidhur me shqetësimet që janë ngritur nga ambasadat e huaja në Kosovë dhe nga përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile për moscertifikimin e kandidatëve për deputetë të Listës Serbe. 

Ai ka thënë të enjten se moscertifikimi i tyre nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk është çështje e tij, sikurse as shqetësimi i ngritur disa ditë më parë nga Ambasada Amerikane në Prishtinë pasi anëtarë të KQZ-së nuk e miratuan Listën Serbe si subjekt politik pjesëmarrës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Për këtë çështje, në Ambasadën Amerikane patën thënë se përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për ta bllokuar certifikimin e Listës Serbe janë dritëshkurtra dhe përçarëse.

“Ajo është çështje e Ambasadës Amerikane, është çështje e KQZ-së. Unë jam kryeministër i Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti.

Reagim në mediat serbe lidhur me moscertifikimin e kandidatëve të Listës Serbe ka pasur të enjten edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, duke e kualifikuar këtë si sjellje penguese që ka ndikim në reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

Shqetësim kanë shprehur edhe në grupin e organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”. Nëpërmjet një reagimi publik, në DnV kanë thënë se vendimi i KQZ-së krijon vonesa të panevojshme dhe e minon besimin në proces.

“Procesi i certifikimit është një fazë procedurale e qartë dhe e përcaktuar, e cila duhet të bazohet në kriteret ligjore dhe praktikat e konsoliduara të administrimit të zgjedhjeve, jo në interpretime apo vendimmarrje të motivuara politikisht. Përvoja e deritanishme tregon se vendime të tilla, brenda pak ditësh, zakonisht anulohen ose ndryshohen nga instancat e larta të ankesave, duke krijuar vonesa të panevojshme dhe minuar besimin në administrimin zgjedhor”, kanë thënë në DnV.

Kandidatët serbë që kanë synuar të bëhen deputetë nën siglën e Listës Serbe të mërkurën nuk e kanë marrë aprovimin e KQZ-së për të garuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Certifikimi i tyre, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, nuk i ka marrë votat e mjaftueshme, megjithëqë në Zyren për Certifikim të Subjekteve Politike kanë thënë se asnjëri prej tyre nuk bie ndesh me dispozitat e parapara.

Nga 11 anëtarët sa i ka KQZ-ja, të mërkurën dy prej tyre kanë votuar kundër, gjashtë kanë abstenuar, ndërsa tre kanë votuar për certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe. 

Në “Demokracia në Veprim” u kanë bërë thirrje anëtarëve të KQZ-së që të shmangin abstenimet dhe vendimmarrjet e tilla dhe të sigurojnë që proceset zgjedhore të mos dëmtohen nga vendime që i tejkalojnë kompetencat ligjore apo praktikën e deritanishme.