Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Hulumtim i Institutit Columbus (Pjesa 1)

Nga pushimi mjekësor te rikthimi në punë: si i mbrojnë vendet evropiane pacientët me kancer?

Onkologji

Analiza krahasuese e 17 shteteve evropiane tregon se mbrojtja e pacientëve me kancer në marrëdhëniet e punës është shumë më e gjerë sesa e drejta formale për pushim mjekësor. Në sistemet më të avancuara evropiane, mbrojtja ndërtohet mbi disa shtylla të ndërlidhura: kompensimi financiar gjatë sëmundjes, vazhdimësia e të ardhurave pas periudhës fillestare të pushimit mjekësor, sigurimet shoqërore, rehabilitimi profesional, rikthimi gradual në punë dhe mbrojtja kundër diskriminimit

Ky projekt është financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida), përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë, në kuadër të projektit Human Rightivism të zbatuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF). Përgjegjësia për përmbajtjen i takon plotësisht autorit/krijuesit. Sida, Ambasada e Suedisë në Prishtinë dhe CDF nuk i ndajnë domosdoshmërisht pikëpamjet dhe interpretimet e shprehura.

Ky raport analizon politikat e pushimit me pagesë dhe lehtësirave në vendin e punës për punonjësit e diagnostikuar me kancer në 17 juridiksione evropiane, me fokus të veçantë në situatën në Kosovë. Përveç analizës së legjislacionit dhe praktikave evropiane, raporti shqyrton edhe mënyrën se si trajtohen në praktikë punonjësit me kancer në disa prej institucioneve më të mëdha publike në Kosovë, përfshirë Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Komunën e Prishtinës dhe Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Po ashtu, raporti përfshin gjetjet nga një pyetësor i realizuar me pacientë me kancer, të cilët kanë ndarë përvojat e tyre lidhur me pushimin mjekësor, mbështetjen institucionale, marrëdhënien me punëdhënësin dhe sfidat ekonomike e profesionale gjatë trajtimit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Raporti nis nga premisa se kanceri nuk është vetëm sfidë shëndetësore, por edhe sfidë sociale dhe ekonomike. Për shumë pacientë, diagnoza shoqërohet me pasiguri të menjëhershme lidhur me të ardhurat, vazhdimin e punësimit dhe mundësinë e rikthimit në punë pas trajtimit. Në këtë kuptim, mënyra se si organizohen pushimi mjekësor, kompensimi financiar gjatë sëmundjes dhe mbrojtja e vendit të punës kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien dhe dinjitetin e pacientëve me kancer.
Analiza krahasuese tregon se në shumicën e vendeve evropiane kanceri nuk trajtohet përmes një kategorie të veçantë të “lejes për kancer”. Megjithatë, vendet me sisteme më të zhvilluara sociale kanë ndërtuar mekanizma më gjithëpërfshirës që kombinojnë pushimin mjekësor, kompensimin gjatë sëmundjes, rehabilitimin profesional, rikthimin gradual në punë dhe mbrojtjen kundër diskriminimit. Në këto sisteme, mbrojtja e pacientit nuk kufizohet vetëm te periudha e mungesës nga puna, por vazhdon edhe gjatë rikuperimit dhe kthimit në jetën profesionale.

Raporti evidenton se vendet si Holanda, Gjermania, Franca dhe shtetet nordike kanë kaluar gradualisht nga modeli tradicional i “paaftësisë për punë” drejt një qasjeje që synon ruajtjen e lidhjes së pacientit me tregun e punës. Në këto vende, punëdhënësit kanë rol aktiv në procesin e rikthimit në punë dhe shpesh obligohen të ofrojnë fleksibilitet, përshtatje të kushteve të punës dhe mbështetje gjatë rehabilitimit. Në disa juridiksione, si Mbretëria e Bashkuar, kanceri trajtohet edhe si bazë për mbrojtje të zgjeruar kundër diskriminimit në vendin e punës.

Në kontrast me këto modele, gjetjet e raportit tregojnë se në Kosovë mbrojtja e punonjësve me kancer mbetet kryesisht e kufizuar në dispozitat e përgjithshme për pushim mjekësor. Edhe pse institucionet publike të analizuara kanë praktika të ndryshme në trajtimin e rasteve të sëmundjeve të rënda, mungon një qasje e standardizuar dhe e qartë për mbështetjen afatgjatë të punonjësve me kancer. Përvoja e pacientëve të përfshirë në pyetësor tregon se shumë prej tyre janë përballur me pasiguri lidhur me vazhdimin e pagesës, vështirësi në sigurimin e pushimit mjekësor, mungesë fleksibiliteti në vendin e punës dhe frikë nga humbja e vendit të punës ose trajtimi i padrejtë nga punëdhënësi.
Dëshmitë e pacientëve tregojnë se barra e kancerit në Kosovë shpesh shoqërohet edhe me barrë ekonomike dhe profesionale. Për shumë të anketuar, trajtimi i gjatë dhe efektet anësore kanë ndikuar drejtpërdrejt në aftësinë për të vazhduar punën me ritëm të plotë. Megjithatë, shumica kanë raportuar mungesë të mekanizmave për kthim gradual në punë, mungesë të akomodimit të arsyeshëm dhe mungesë të mbështetjes institucionale gjatë periudhës së rikuperimit. Përvojat e ndara nga pacientët tregojnë se sistemi aktual shpesh nuk arrin ta trajtojë kancerin si gjendje që kërkon mbështetje afatgjatë dhe fleksibilitet të vazhdueshëm.

Raporti argumenton se boshllëku kryesor në Kosovë nuk lidhet vetëm me kohëzgjatjen e pushimit mjekësor, por me mungesën e një qasjeje të integruar ndaj punonjësve me sëmundje të rënda afatgjata. Ndryshe nga praktikat më të avancuara evropiane, sistemi aktual nuk ofron mekanizma të zhvilluar për rehabilitim profesional, rikthim gradual në punë dhe mbrojtje efektive kundër diskriminimit në vendin e punës.

Bazuar në analizën krahasuese dhe në përvojat e pacientëve të përfshirë në hulumtim, raporti rekomandon zhvillimin e një qasjeje më gjithëpërfshirëse ndaj mbrojtjes së punonjësve me kancer në Kosovë. Kjo përfshin forcimin e mbështetjes financiare gjatë trajtimit, krijimin e mekanizmave për kthim gradual në punë, detyrime më të qarta për akomodim të arsyeshëm nga punëdhënësit dhe zhvillimin e politikave që e trajtojnë kancerin jo vetëm si çështje shëndetësore, por edhe si çështje të sigurisë ekonomike, të drejtave në punë dhe përfshirjes sociale.

Kanceri, puna dhe siguria ekonomike

Kanceri paraqet një nga sfidat më të mëdha shëndetësore dhe sociale për individin, familjen dhe institucionet publike. Përveç ndikimit fizik dhe psikologjik që sjell diagnoza, pacientët me kancer shpesh përballen edhe me pasiguri ekonomike, vështirësi në ruajtjen e vendit të punës dhe pengesa në vazhdimin e aktivitetit profesional gjatë dhe pas trajtimit. Në këtë kuptim, mënyra se si shtetet organizojnë pushimin mjekësor, kompensimin financiar gjatë sëmundjes dhe mbrojtjen e të drejtave të punonjësve me sëmundje të rënda bëhet pjesë e rëndësishme e mbështetjes ndaj pacientëve me kancer.

Trajtimi i kancerit zakonisht kërkon periudha të gjata të mungesës nga puna, ndërhyrje të vazhdueshme mjekësore dhe rikuperim që shpesh vazhdon edhe pas përfundimit të trajtimit aktiv. Për shumë pacientë, rikthimi në jetën profesionale nuk ndodh menjëherë dhe nuk është linear. Lodhja kronike, efektet anësore të trajtimit, nevoja për kontrolle të vazhdueshme dhe ndikimi psikologjik i sëmundjes shpesh e bëjnë të vështirë kthimin e menjëhershëm në ritmin e zakonshëm të punës. Për këtë arsye, politikat që lidhen me pushimin mjekësor dhe marrëdhënien e punës kanë rëndësi të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës dhe sigurinë ekonomike të pacientëve me kancer.

Në vendet evropiane, gjatë viteve të fundit është vërejtur një ndryshim gradual në mënyrën se si trajtohet marrëdhënia ndërmjet sëmundjes së rëndë dhe punësimit. Qasja tradicionale, e cila e trajtonte punonjësin kryesisht si “të paaftë për punë” deri në rikuperim të plotë, është zëvendësuar gradualisht nga modele më fleksibile që fokusohen në ruajtjen e lidhjes së pacientit me tregun e punës. Në shumë vende, politikat publike tashmë synojnë jo vetëm kompensimin financiar gjatë mungesës, por edhe rikthimin gradual në punë, rehabilitimin profesional dhe akomodimin e arsyeshëm të nevojave të pacientëve gjatë dhe pas trajtimit.

Megjithatë, niveli i mbrojtjes dhe mbështetjes për punonjësit me kancer mbetet i pabarabartë ndërmjet vendeve. Disa shtete kanë zhvilluar sisteme të avancuara të sigurimeve sociale dhe mekanizma të mirëstrukturuar të riintegrimit profesional, ndërsa vende të tjera vazhdojnë të mbështeten kryesisht në pushimin standard mjekësor dhe kompensimin bazik gjatë sëmundjes. Këto dallime bëhen veçanërisht të dukshme në rastin e sëmundjeve afatgjata si kanceri, ku nevoja për fleksibilitet dhe mbështetje shpesh vazhdon edhe pas përfundimit të trajtimit.

Në Kosovë, diskutimi mbi ndikimin e kancerit në marrëdhënien e punës ka qenë relativisht i kufizuar. Debati publik dhe institucional zakonisht fokusohet te trajtimi mjekësor, infrastruktura shëndetësore dhe qasja në terapi, ndërsa dimensioni ekonomik dhe profesional i jetës së pacientëve trajtohet shumë më pak. Si rezultat, çështje si siguria e të ardhurave gjatë trajtimit, mbrojtja e vendit të punës, fleksibiliteti në punë apo rikthimi gradual në aktivitet profesional kanë mbetur kryesisht jashtë vëmendjes së politikave publike.

Korniza aktuale ligjore në Kosovë nuk parasheh trajtim të veçantë për pacientët me kancer apo për sëmundjet e rënda afatgjata në marrëdhëniet e punës. Mbrojtja ekzistuese mbështetet kryesisht në dispozitat e përgjithshme për pushim mjekësor dhe në mekanizmat bazikë të sigurimeve sociale, të cilët nuk janë domosdoshmërisht të përshtatur për realitetin e trajtimeve të gjata dhe rikuperimit gradual që kërkon kanceri. Për pasojë, shumë pacientë përballen me pasiguri lidhur me vazhdimin e pagesës, ruajtjen e vendit të punës dhe mundësinë për t’u rikthyer në punë në mënyrë të qëndrueshme pas trajtimit.

Ky raport synon të kontribuojë në këtë diskutim përmes një analize krahasuese të politikave dhe praktikave në 17 juridiksione evropiane, duke shqyrtuar mënyrën se si sistemet e punës dhe mbrojtjes sociale i trajtojnë punonjësit me kancer. Përveç analizës së modeleve evropiane, raporti shqyrton edhe praktikat e disa institucioneve publike në Kosovë, përfshirë Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Komunën e Prishtinës dhe Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), me qëllim të kuptimit të mënyrës se si trajtohen në praktikë rastet e pushimit mjekësor dhe mbështetjes për punonjësit me sëmundje të rënda.

Një pjesë e rëndësishme e raportit bazohet edhe në përvojat e pacientëve me kancer. Përmes një pyetësori të realizuar me pacientë, raporti sjell perspektivën e tyre mbi sfidat që kanë përjetuar në raport me punën, pushimin mjekësor, sigurinë ekonomike dhe mbështetjen institucionale gjatë trajtimit. Përfshirja e përvojave të pacientëve synon ta zhvendosë diskutimin nga niveli formal i legjislacionit drejt ndikimit real që politikat ekzistuese kanë në jetën e përditshme të njerëzve të diagnostikuar me kancer.

Në këtë kontekst, raporti argumenton se mbrojtja e punonjësve me kancer nuk duhet të trajtohet vetëm si çështje e pushimit mjekësor, por si pjesë e një qasjeje më të gjerë të të drejtave në punë, mbrojtjes sociale dhe dinjitetit njerëzor. Mënyra se si institucionet dhe punëdhënësit reagojnë ndaj nevojave të pacientëve me kancer ka ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm në sigurinë ekonomike të tyre, por edhe në mundësinë për të ruajtur përfshirjen sociale dhe cilësinë e jetës gjatë dhe pas trajtimit.

Nga analiza ligjore te përvojat e pacientëve

Ky raport është hartuar përmes kombinimit të analizës krahasuese të politikave publike, shqyrtimit të kornizës ligjore dhe institucionale në Kosovë dhe mbledhjes së të dhënave nga pacientët me kancer lidhur me përvojat e tyre në vendin e punës gjatë dhe pas trajtimit.

Pjesa krahasuese e raportit bazohet në analizën e politikave dhe praktikave në 17 juridiksione evropiane: Gjermani, Francë, Holandë, Suedi, Danimarkë, Spanjë, Itali, Poloni, Çeki, Rumani, Mbretëri të Bashkuar, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Serbi, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë. Analiza është fokusuar në mënyrën se si këto vende rregullojnë pushimin mjekësor me pagesë, kompensimin financiar gjatë sëmundjes, mbrojtjen e vendit të punës, rikthimin gradual në punë dhe mekanizmat e akomodimit të arsyeshëm për punonjësit me sëmundje të rënda, përfshirë kancerin.

Raporti është mbështetur kryesisht në burime zyrtare, duke përfshirë legjislacionin kombëtar, dokumentet e institucioneve publike, materialet e sigurimeve sociale dhe shëndetësore, si dhe dokumente dhe udhëzime të publikuara nga Komisioni Evropian dhe institucione të tjera relevante ndërkombëtare. Në rastin e Kosovës, analiza është bazuar në Ligjin e Punës, aktet relevante nënligjore dhe dokumentet institucionale që rregullojnë pushimin mjekësor dhe marrëdhëniet e punës në sektorin publik.

Përveç analizës ligjore dhe krahasuese, raporti shqyrton edhe praktikat institucionale në disa prej institucioneve më të mëdha publike në Kosovë, përfshirë Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Komunën e Prishtinës dhe Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Analiza është fokusuar në mënyrën se si trajtohen në praktikë rastet e punonjësve të diagnostikuar me kancer, procedurat për pushim mjekësor, vazhdimin e pagesës dhe qasjen institucionale ndaj rikthimit në punë.

Një komponent i rëndësishëm i raportit është edhe pyetësori i realizuar me 132 pacientë me kancer. Qëllimi i pyetësorit ka qenë të dokumentojë përvojat e pacientëve lidhur me marrëdhënien e tyre me punën gjatë dhe pas trajtimit, përfshirë qasjen në pushim mjekësor, ndikimin ekonomik të sëmundjes, përvojat me punëdhënësit, fleksibilitetin në vendin e punës dhe sfidat e rikthimit në punë. Përfshirja e perspektivës së pacientëve synon të ofrojë një kuptim më të plotë të ndikimit praktik që politikat ekzistuese dhe boshllëqet institucionale kanë në jetën e tyre të përditshme.

Raporti nuk synon të ofrojë analizë të plotë të sistemeve të sigurimeve sociale në secilin shtet të përfshirë në studim. Në vend të kësaj, fokusi është vendosur në elementet që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë ekonomike dhe profesionale të punonjësve me kancer, si dhe në mekanizmat që mundësojnë ose vështirësojnë vazhdimin e pjesëmarrjes së tyre në tregun e punës gjatë dhe pas trajtimit.

Korniza ligjore për mbrojtjen e punonjësve me kancer në shtetet evropiane

Për të vlerësuar nivelin e mbrojtjes së pacientëve me kancer në marrëdhëniet e punës në Kosovë, ky policy paper analizon kornizat ligjore dhe praktikat institucionale në 17 shtete evropiane. Analiza përqendrohet në katër elemente kryesore: kohëzgjatjen e pushimit mjekësor, nivelin e kompensimit financiar, mekanizmat e rikthimit gradual në punë dhe mbrojtjen kundër diskriminimit.

Shtetet e përfshira në analizë përfaqësojnë modele të ndryshme të mbrojtjes sociale dhe të marrëdhënieve të punës, duke përfshirë shtete të Evropës Perëndimore, Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor. Këto shtete janë: Gjermania, Franca, Holanda, Suedia, Danimarka, Spanja, Italia, Polonia, Çekia, Rumania, Mbretëria e Bashkuar, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova. Krahasimi synon të identifikojë praktikat më të avancuara evropiane dhe boshllëqet ekzistuese në sistemin juridik të Kosovës.

Në pjesën dërrmuese të këtyre vendeve, kanceri nuk rregullohet si “leje e veçantë” autonome, por si kombinim i pushimit mjekësor, përfitimeve të sëmundjes, invaliditetit afatgjatë, kthimit gradual në punë dhe detyrimeve kundër diskriminimit ose për akomodim të arsyeshëm. Kjo do të thotë se mbrojtja reale e pacientit me kancer varet nga mënyra se si lidhen këto shtylla mes vete, jo vetëm nga numri i ditëve të lejes.

Mbështetja financiare gjatë trajtimit të kancerit

Një nga dallimet më të mëdha ndërmjet sistemeve evropiane dhe atyre më pak të zhvilluara qëndron te mënyra se si sigurohet vazhdimësia e të ardhurave gjatë trajtimit të sëmundjeve të rënda. Në shumicën e vendeve të analizuara, pacientët me kancer nuk mbështeten vetëm në periudha të shkurtra të pushimit mjekësor, por përfitojnë nga mekanizma që garantojnë kompensim financiar për periudha shumë më të gjata.

Holanda paraqet një nga modelet më të avancuara në Evropë për mbrojtjen e punonjësve që përballen me sëmundje të rënda dhe afatgjata, përfshirë kancerin. Qasja holandeze nuk kufizohet vetëm në dhënien e pushimit mjekësor apo pagesës gjatë mungesës nga puna. Përkundrazi, sistemi është ndërtuar mbi idenë se punonjësi i sëmurë duhet të mbështetet për ta ruajtur lidhjen me tregun e punës dhe për t’u rikthyer gradualisht në vendin e punës, kur këtë ia lejon gjendja shëndetësore.
Korniza kryesore ligjore mbështetet në Kodin Civil Holandez, veçanërisht në nenin 7:629, si dhe në Ligjin për përmirësimin e procesit të ri-integrimit në punë. Sipas kësaj kornize, punëdhënësi ka detyrim ligjor të paguajë së paku 70% të pagës deri në 104 javë. Kjo dispozitë ka rëndësi të veçantë për pacientët me kancer, sepse trajtimi onkologjik shpesh nuk është proces i shkurtër. Ai mund të përfshijë operacion, kimioterapi, radioterapi, terapi hormonale, kontrolle të vazhdueshme dhe periudhë të gjatë rikuperimi. Për këtë arsye, një periudhë dyvjeçare e mbrojtjes financiare e bën sistemin holandez më të përshtatshëm për realitetin e pacientëve me sëmundje të rënda.

Gjermania ka një sistem të konsoliduar dhe shumë të strukturuar për mbrojtjen e punonjësve që përballen me sëmundje të rënda. Ky sistem bazohet në ndarjen e përgjegjësisë ndërmjet punëdhënësit dhe sigurimeve shëndetësore. Sipas Ligjit për vazhdimin e pagesës gjatë sëmundjes, punëdhënësi është i detyruar të paguajë pagën e plotë për gjashtë javët e para të sëmundjes. Kjo periudhë fillestare i jep punonjësit siguri të menjëhershme, pa e detyruar të përballet menjëherë me ulje të të ardhurave në momentin kur është duke u diagnostikuar apo duke filluar trajtimin.
Pas përfundimit të gjashtë javëve, aktivizohet sigurimi shëndetësor përmes pagesës për sëmundje. Kjo pagesë është rreth 70% e pagës bruto ose deri në 90% të pagës neto dhe mund të zgjasë deri në 78 javë brenda një periudhe trevjeçare për të njëjtën sëmundje. Për pacientët me kancer, kjo është shumë e rëndësishme, sepse trajtimi shpesh tejkalon kufijtë e pushimeve të zakonshme mjekësore.
Franca ka një sistem të zhvilluar për mbrojtjen e punonjësve me sëmundje të rënda, ku kanceri trajtohet brenda kategorisë së sëmundjeve afatgjata. Përmes regjimit për sëmundje afatgjata, pacientët me kancer përfitojnë mbështetje dhe mbulim për periudha më të gjata sesa pushimet e zakonshme mjekësore. Kjo është e rëndësishme, sepse pacientët me kancer shpesh kanë nevojë për ndërprerje të përsëritura nga puna. Ata mund të mos mungojnë vazhdimisht për një periudhë të vetme, por mund të kenë cikle trajtimi dhe rikuperimi.

Në Suedi dhe Danimarkë, mbështetja financiare lidhet më shumë me sistemet publike të mirëqenies. Në Suedi, punëdhënësi mbulon periudhën fillestare të mungesës, ndërsa më pas pagesa kalon te sigurimet shoqërore. Në Danimarkë, pas fazës fillestare të përgjegjësisë së punëdhënësit, rolin kryesor e merr komuna. Kjo tregon se sistemi danez e trajton sëmundjen afatgjatë jo vetëm si çështje private të punëdhënësit dhe punonjësit, por edhe si çështje të politikës sociale lokale.
Megjithëse mekanizmat ndryshojnë nga një shtet në tjetrin, të gjitha këto modele bazohen në një parim të përbashkët: pacienti nuk duhet të humbasë sigurinë ekonomike në periudhën kur përballet me sfidën më të madhe shëndetësore. Kjo qasje është veçanërisht e rëndësishme për pacientët me kancer, trajtimi i të cilëve shpesh zgjat me muaj apo vite.

Nga pushimi mjekësor te rikthimi gradual në punë

Një karakteristikë tjetër që i dallon sistemet më të avancuara evropiane është fakti se ato nuk e trajtojnë rikthimin në punë si një moment të vetëm kur pacienti kalon nga mungesa e plotë në angazhim të plotë. Përkundrazi, rikthimi konsiderohet proces gradual që duhet të përshtatet me gjendjen shëndetësore dhe ritmin e rikuperimit të secilit pacient.

Një veçori shumë e rëndësishme e Holandës është se ligji nuk e lë punonjësin vetëm në pushim mjekësor. Përmes Ligjit për përmirësimin e procesit të ri-integrimit në punë, punëdhënësi dhe punonjësi kanë detyrim të bashkëpunojnë në hartimin e një plani ri-integrimi. Ky plan mund të përfshijë kthim gradual në punë, reduktim të orarit, ndryshim të detyrave, përshtatje të vendit të punës ose transferim në një pozitë tjetër më të përshtatshme.

Nëse punëdhënësi nuk ndërmerr veprime serioze për rikthimin e punonjësit në punë, autoriteti kompetent mund ta sanksionojë atë. Nëse autoriteti vlerëson se punëdhënësi nuk ka bërë përpjekje të mjaftueshme për ri-integrimin e punonjësit, ai mund ta obligojë punëdhënësin të vazhdojë pagesën e pagës deri në një vit shtesë. Kjo tregon se sistemi holandez nuk e sheh ri-integrimin si vullnet të mirë të punëdhënësit, por si detyrim ligjor.

Në Gjermani, pjesa shumë e rëndësishme e modelit është riintegrimi në punë. Përmes Kodit Social për rehabilitim dhe pjesëmarrje në jetën e punës zbatohet mekanizmi i Menaxhimit të Integrimit në Ndërmarrje. Ky mekanizëm aktivizohet kur punonjësi mungon më shumë se gjashtë javë brenda një viti. Qëllimi nuk është vetëm të konstatohet mungesa, por të shqyrtohet se çfarë mund të bëjë punëdhënësi për ta ndihmuar punonjësin të kthehet në punë.

Në praktikë, kjo mund të përfshijë ulje të orarit, ndryshim të përkohshëm të detyrave, përshtatje ergonomike të vendit të punës, shmangie të ngarkesës fizike ose psikologjike dhe kthim gradual. Për pacientët me kancer, ky mekanizëm është veçanërisht i rëndësishëm, sepse pas trajtimit shumë prej tyre përballen me lodhje kronike, dobësi fizike, efekte anësore të terapisë ose nevojë për kontrolle të vazhdueshme.

Në Francë, një element shumë i rëndësishëm është rikthimi terapeutik me kohë të pjesshme. Ky mekanizëm e lejon punonjësin të kthehet në punë me orar të reduktuar, nëse mjeku e vlerëson se kjo është e përshtatshme. Në këtë mënyrë, pacienti nuk detyrohet të zgjedhë ndërmjet dy ekstremeve: ose të qëndrojë plotësisht jashtë punës, ose të kthehet menjëherë me orar të plotë. Për shumë pacientë me kancer, pikërisht ky kthim gradual është mënyra më reale dhe më e shëndetshme për të vazhduar jetën profesionale.

Në Suedi, procesi mbështetet përmes zinxhirit të rehabilitimit, i cili organizon vlerësimin e aftësisë për punë në faza të ndryshme të sëmundjes. Kjo do të thotë se në periudha të caktuara shqyrtohet nëse punonjësi mund të kthehet në vendin e mëparshëm të punës, në një rol të përshtatur ose në një formë tjetër pune. Në Danimarkë, komuna mund të vlerësojë nevojën për rehabilitim, mundësinë e kthimit gradual në punë, nevojën për trajnim ose, në disa raste, për riorientim profesional.

Këto modele reflektojnë një ndryshim të rëndësishëm në qasjen ndaj sëmundjes. Në vend që pacienti të konsiderohet plotësisht i paaftë për punë deri në rikuperim të plotë, sistemet moderne synojnë ruajtjen e lidhjes së tij me tregun e punës dhe rikthimin gradual sipas mundësive reale shëndetësore.

Fleksibiliteti dhe rehabilitimi profesional si pjesë e mbështetjes

Për shumë pacientë me kancer, sfida kryesore nuk është vetëm mungesa nga puna, por edhe mënyra se si mund të vazhdojnë aktivitetin profesional gjatë dhe pas trajtimit. Për këtë arsye, vendet evropiane kanë zhvilluar mekanizma të ndryshëm të fleksibilitetit dhe rehabilitimit profesional.
Në praktikë, këto masa përfshijnë reduktimin e përkohshëm të orarit, ndryshimin e detyrave të punës, përshtatje ergonomike të vendit të punës, punë nga shtëpia, programe të veçanta rehabilitimi dhe, në disa raste, riorientim profesional. Këto masa nuk synojnë vetëm ruajtjen e produktivitetit. Ato synojnë të shmangin largimin afatgjatë nga tregu i punës dhe të ndihmojnë pacientët të ruajnë pavarësinë ekonomike dhe sociale edhe gjatë periudhave të gjata të trajtimit.

Holanda e lidh fleksibilitetin drejtpërdrejt me planin e ri-integrimit. Në këtë model, përshtatja e vendit të punës, reduktimi i orarit ose ndryshimi i detyrave nuk janë vetëm mundësi të mira, por pjesë e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i kthimit në punë. Gjermania ndjek një logjikë të ngjashme përmes mekanizmit të integrimit në ndërmarrje, i cili kërkon të identifikojë pengesat praktike dhe shëndetësore që mund ta vështirësojnë kthimin në punë.

Në Francë, kthimi terapeutik me kohë të pjesshme është një formë konkrete fleksibiliteti që e lidh trajtimin mjekësor me marrëdhënien e punës. Në Suedi dhe Danimarkë, rehabilitimi profesional konsiderohet pjesë e sistemit të mirëqenies sociale dhe jo vetëm çështje e punëdhënësit. Kjo qasje është e rëndësishme, sepse pacienti nuk mbetet i vetëm përballë punëdhënësit, por përfshihet në një proces më të gjerë mbështetjeje institucionale.

Për pacientët me kancer, këta mekanizma janë veçanërisht të rëndësishëm sepse rikuperimi shpesh nuk është linear. Një pacient mund të ketë ditë më të mira dhe ditë më të vështira, mund të ketë nevojë për mungesa të përsëritura për kontrolle ose trajtime, dhe mund të mos jetë në gjendje të kthehet menjëherë në të njëjtën ngarkesë pune. Pikërisht për këtë arsye, fleksibiliteti dhe rehabilitimi profesional janë pjesë thelbësore e mbrojtjes së pacientëve me sëmundje të rënda.

Mbrojtja kundër diskriminimit dhe ruajtja e vendit të punës

Përveç mbështetjes financiare dhe rehabilitimit, vendet evropiane kanë zhvilluar edhe mekanizma ligjorë për mbrojtjen e pacientëve me sëmundje të rënda nga diskriminimi në vendin e punës. Kjo mbrojtje është e rëndësishme, sepse diagnoza e kancerit, mungesat nga puna ose nevoja për përshtatje mund ta vendosin punonjësin në pozitë të cenueshme.

Në Holandë, ligji për trajtim të barabartë mbron personat me sëmundje kronike ose aftësi të kufizuara. Kanceri, sidomos kur shkakton pasoja afatgjata në shëndetin dhe aftësinë për punë, mund të përfitojë nga mbrojtja kundër diskriminimit në bazë të sëmundjes kronike ose aftësisë së kufizuar. Kjo do të thotë se personat me sëmundje kronike duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe nuk mund të refuzohen nëse mund ta ushtrojnë detyrën pas përshtatjes së arsyeshme.

Në Gjermani, mbrojtja sigurohet përmes Ligjit të Përgjithshëm për Trajtim të Barabartë, i cili ndalon diskriminimin për shkak të aftësisë së kufizuar. Kanceri mund të përfshihet në këtë mbrojtje kur shkakton kufizime afatgjata në jetën profesionale dhe aftësinë për punë. Në Francë, mbrojtja është edhe më e drejtpërdrejtë, sepse Kodi i Punës e përmend gjendjen shëndetësore si bazë të mbrojtur. Kjo do të thotë se diagnoza, trajtimi ose nevoja për përshtatje nuk mund të përdoren si arsye për largim, penalizim apo trajtim të pafavorshëm.

Në Suedi dhe Danimarkë, mbrojtja kundër diskriminimit lidhet kryesisht me aftësinë e kufizuar dhe trajtimin e barabartë. Kanceri mund të hyjë në këtë kategori kur sjell kufizime afatgjata në aftësinë për punë ose funksionim të përditshëm. Këto dispozita synojnë të parandalojnë largimin e padrejtë nga puna, refuzimin e avancimit profesional ose trajtimin e pafavorshëm për shkak të diagnozës.
Në të njëjtën kohë, këto sisteme krijojnë obligime për punëdhënësit që të ofrojnë përshtatje të arsyeshme dhe të marrin parasysh nevojat specifike të punonjësve gjatë trajtimit dhe rikuperimit. Kjo qasje e zhvendos fokusin nga kufizimet që krijon sëmundja te mundësitë për të ruajtur pjesëmarrjen e pacientit në jetën profesionale.

Çfarë i dallon modelet më të avancuara evropiane?

Analiza e Holandës, Gjermanisë, Francës, Suedisë dhe Danimarkës tregon se mbrojtja e pacientëve me kancer në vendin e punës nuk kufizohet vetëm në pushimin mjekësor. Në këto vende, mbështetja ndërtohet përmes kombinimit të kompensimit financiar, sigurimeve shoqërore, rehabilitimit profesional, rikthimit gradual në punë dhe mbrojtjes nga diskriminimi.

Elementi i përbashkët i këtyre modeleve është se ato e trajtojnë kancerin si gjendje që kërkon mbështetje afatgjatë dhe jo si mungesë të zakonshme nga puna. Në vend që fokusi të vendoset vetëm te periudha e pushimit mjekësor, politikat synojnë ruajtjen e lidhjes së pacientit me tregun e punës dhe krijimin e kushteve për rikthim të sigurt e të qëndrueshëm në jetën profesionale.
Në këtë kuptim, modelet më të avancuara evropiane dallohen për tri elemente kryesore: mbështetje financiare që zgjat përtej ditëve fillestare të sëmundjes, mekanizma të detyrueshëm ose të strukturuar për rikthim gradual në punë dhe mbrojtje ligjore kundër diskriminimit. Pikërisht ky kombinim e bën mbrojtjen më efektive për pacientët me kancer.

Çfarë i dallon modelet më të avancuara evropiane?

Analiza e Holandës, Gjermanisë, Francës, Suedisë dhe Danimarkës tregon se mbrojtja e pacientëve me kancer në vendin e punës nuk kufizohet vetëm në pushimin mjekësor. Në këto vende, mbështetja ndërtohet përmes kombinimit të kompensimit financiar, sigurimeve shoqërore, rehabilitimit profesional, rikthimit gradual në punë dhe mbrojtjes nga diskriminimi. Elementi i përbashkët i këtyre modeleve është se ato e trajtojnë kancerin si gjendje që kërkon mbështetje afatgjatë dhe jo si mungesë të zakonshme nga puna. Në vend që fokusi të vendoset vetëm te periudha e pushimit mjekësor, politikat synojnë ruajtjen e lidhjes së pacientit me tregun e punës dhe krijimin e kushteve për rikthim të sigurt e të qëndrueshëm në jetën profesionale. Megjithatë, këto vende përfaqësojnë kryesisht modelet më të zhvilluara të mirëqenies sociale në Evropë. Për të kuptuar më mirë larminë e qasjeve evropiane ndaj mbrojtjes së pacientëve me kancer, analiza vazhdon me një grup tjetër shtetesh që përfaqësojnë sisteme të ndryshme të sigurimeve shoqërore, marrëdhënieve të punës dhe mbrojtjes kundër diskriminimit. Këto vende nuk ofrojnë domosdoshmërisht të njëjtin nivel mbështetjeje si shtetet nordike apo Holanda, por paraqesin modele të rëndësishme për mënyrën se si organizohet mbrojtja e pacientëve me sëmundje të rënda në pjesë të tjera të Evropës.

(Në pjesën e dytë të raportit analizohen modelet e vendeve të tjera evropiane dhe qasjet e tyre ndaj mbrojtjes së punonjësve me sëmundje të rënda)