U është caktuar masa prej një muaji paraburgim tre zyrtarëve të Agjencisë së Arkivit dhe dy të Agjencisë Kadastrale, të dyshuar për pronën në vlerë 15 milionë euro, që i përkiste RTP-së. Sipas një dokumenti të prokurorisë, për tjetërsimin e pronës, në vitin 2021 është arkivuar një dokument i falsifikuar, i emërtuar “Aktgjykim i Gjykatës së Prizrenit”, kinse i nxjerrë në vitin 1976.
U është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh pesë zyrtarëve të Agjencisë së Arkivit të Kosovës dhe Agjencisë Kadastrale, të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, me qëllim tjetërsimin e pronës shoqërore të Radiotelevizionit të Prishtinës, që ndodhet në Veternik e që ka vlerë rreth 15 milionë euro.
Vendimin Gjykata e dha me arsyetimin se nëse lihen në liri mund të ndikojnë në prova e edhe në dëshmitarë.
“Çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, si dhe pengimin e përsëritjes së veprave penale. Gjykata po ashtu vlerësoi se nëse të pandehurit B.Sh., M.B., V.B., Z.Sh. dhe M.B. lihen në liri, të njëjtit persona mund të ndikojnë edhe në prova duke fshehur dhe asgjësuar provat, si dhe duke ndikuar edhe në dëshmitarë”, thuhet në vendim.
Në kërkesën e prokurorisë për këtë masë, të cilën e ka siguruar KOHA, janë dhënë edhe detaje të hetimit.
Bazuar në të, gjatë vitit 2021 në Prishtinë, e pandehura Zelfije Shala në cilësinë e shefes së depos së Arkivit në Agjencinë Shtetërore të Arkivave, Veton Bytyqi dhe Mehdi Bahtiri, në cilësinë e zyrtarëve arkivistë, e kanë vendosur në dosjen e Arkivit një dokument të falsifikuar, i emërtuar “Aktgjykim i Gjykatës së Prizrenit”, kinse i nxjerrë në vitin 1976, i cili aktgjykim asnjëherë nuk ishte dorëzuar me procesverbal nga Gjykata e Prizrenit në këtë agjenci.
Ndërkaq për të pandehurit Bashkim Shaqiri, në cilësinë e drejtorit të Zyrës Ligjore në Agjencinë kadastrale dhe Mejreme Bajrami, si bartëse e lëndës, Prokuroria dyshon se me dashje dhe në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre të punës kanë shkaktuar dëm material rreth 15 milionë euro për pronën shoqërore.
“Ekziston dyshimi për të besuar se nëse të pandehurit gjenden në liri, do të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale, duke asgjësuar, fshehur provat ose ndikuar në dëshmitarë. Të pandehurit gjatë ushtrimit të detyrave të tyre zyrtare kanë mundur shumë lehtë që të vërtetojnë vërtetësinë dhe origjinalitetin e aktgjykimit”, thuhet në kërkesë e Prokurorisë.
E avokatët e disa prej të akuzuarve thanë se vendimin e gjykatës për paraburgim do ta apelojnë.
“Nuk ka pasur dyshim të arsyeshëm për të njëjtit, pavarësisht që vepra penale ka ndodhur por jo nga këta, sepse këta kanë punuar vetëm detyrat që kanë qenë në përshkrim të detyrave të tyre, përkatësisht për të mbrojturin tim”, theksoi Driton Muharremi, avokat i të dyshuarit Mehdi Bahtiri.
Avokati i të dyshuarit Veton Bytyqi, Alban Arifi, ka thënë se nuk ekzistojnë kushte për paraburgim.
“Sigurisht që do të parashtrojmë ankesë, sepse besojmë që nuk ka bazë të mjaftueshme për caktimin e paraburgimit, është çështje që është duke u hetuar qe dy vjet dhe kushtet të cilat kërkojnë për masën e paraburgimit nuk ekzistojnë”, deklaroi ai.
Avokatja e të dyshuarit Bashkim Shaqiri, Majlinda Sadikaj, tha se caktimi i masës së paraburgimit për të është i panevojshëm dhe i paarsyeshëm. “Edhe masa të tjera për sigurimin e të pandehurit në procedurë do ta arrinin qëllimin e tyre. I mbrojturi im, z. Bashkim Shaqiri që nga momenti i parë është treguar bashkëpunues dhe është i vendosur në zbardhjen e së vërtetës, sepse aty vërtetohet pafajësia e tij”, theksoi ajo.
Të pesë zyrtarët janë shoqëruar të mërkurën në polici, me dyshimin se me veprimet e fundit në raport me pronën e RTP-së kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.