Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Neuroendoskopi i blerë më 2023 për 95 mijë euro s’është futur në përdorim

Neuroendoskopi i blerë më 2023 për 95 mijë euro s’është futur në përdorim

Ndonëse janë investuar afro 2 milionë euro për pajisje moderne për Klinikën e Neurokirurgjisë, njëra nga to, neuroendoskopi, ende nuk është futur në përdorim. Pajisja është pranuar nga klinika qysh më 2023. Drejtuesit e klinikës thonë se përdorimi i neuro-endoskopit do të nisë gjatë verës, pas trajnimit të stafit nga ekspertët e huaj

Pajisja e neuro-endoskopisë, që ka mbërritur në Klinikën e Neurokirurgjisë në vitin 2023 si pjesë e modernizimit të shërbimeve kirurgjike, ende nuk është vënë në funksion.

Përveç neuroendoskopit, Ministria e Shëndetësisë përmes Projektit të Rimëkëmbjes kishte financuar Klinikën e Neurokirurgjisë edhe me pajisje të tjera moderne, si neuronavigatori, mikroskopi operativ, aspiratori ultrasonik dhe fluoroskopi. Vlera totale e këtij investimi arrinte afro 2 milionë euro.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Vetëm neuro-endoskopia ka kushtuar 95 mijë euro.

Drejtori i Klinikës së Neurokirurgjisë, Besnik Elshani, ka konfirmuar se aplikimi i neuroendoskopisë nuk ka nisur.

“Nga muaji korrik i këtij viti do të fillojë aplikimi i neuroendoskopisë. Rastet tashmë janë selektuar në bashkëpunim me neurokirurgët gjermanë dhe për herë të parë, do të realizohen operime dhe trajnime në këtë fushë”, ka thënë Elshani.

Elshani nuk ka treguar arsyet se pse kjo pajisje nuk është futur më herët në funksion, ndonëse ka më shumë se dy vjet që është pranuar nga klinika.

Edhe për përdorimin e neuro-navigatorit dhe aspiratorit ultrasonik, në një njoftim të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës të datës 11 shtator 2024, thuhej se operimet ishin realizuar me asistimin e ekspertëve nga Turqia. (pamje-postimi)

Drejtori Elshani nuk ka treguar numrin e saktë të operimeve të realizuara me këto pajisje nga viti në vit, por ka folur me përqindje se sa i hyjnë në punë klinikës.

“Në rreth 80% të operimeve të tumoreve kraniale përdoret mikroskopi elektronik i gjeneratës më të re. Po ashtu, në 30% të rasteve përdoret neuronavigatori, ndërsa në 20% aplikohet teknologjia CUSA. Fluoroskopia spinale përdoret në rreth 80% të intervenimeve”, ka shtuar ai.

Referuar platformave ndërkombëtare të turizmit mjekësor dhe klinikave private jashtë vendit, ndërhyrjet me neuroendoskopi kushtojnë nga rreth 10 mijë deri mbi 50 mijë euro, varësisht kompleksitetit të rastit dhe shtetit ku kryhet operimi.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, përmes këtij investimi synohej ruajtja e buxhetit të shtetit dhe shmangia e referimit të pacientëve për trajtim jashtë vendit, pasi për këtë çështje shpenzohen miliona euro brenda një viti.