Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se nesër (e merkurë) do të mbahet seancë e jashtëzakonshme për dy çështje.
Në një konferencë për media, Tahiri ka thënë se PDK-ja dhe deputetët opozitarë kanë grumbulluar 40 nënshkrime për të diskutuar për “faljen e borxheve të ambalazhuesve të ujit” dhe për “përgjimet në sektorin e energjisë elektrike”.
“Nesër kemi ftuar seancën e radhës, seancë e jashtëzakonshme. Kemi kërkuar edhe një komision hetimor në të cilën nuk është votuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Çështjen e borxheve të ambalazhuesve të ujit, kjo nuk është votuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Dëmi që është shkaktuar është 11 milionë euro. Çështje tjetër e rëndësishme është çështja e përgjimeve në sektorin e energjisë elektrike”, ka thënë ai.
Në kërkesën drejtuar kryeparlamentarit, opozita ka propozuar rezolutë që kërkon që Prokuroria të nisë hetimet dhe që të anulohen vendimet për faljen e borxheve të ambalazhuesve.
Javën e shkuar në Ministrinë e Mjedisit u arrestuan dy zyrtarë. U raportua se bëhet fjalë për rast të faljes së borxheve për ambalazhuesit e ujit.
Ndërsa ditë më parë, portali “Nacionale” publikoi disa biseda të zyrtares së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, dhe ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.
Edhe
Abelard Tahiri nuk do të kandidojë për deputet
Për asnjërën nga çështjet, Lëvizja Vetëvendosje nuk është deklaruar.
Seanca të jashtëzakonshme ka pasur edhe të premten, për bisedat e shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, që ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë, dhe të hënën për ushqimin në FSK.


