Arbëri

Nëntë komuna arrijnë pikët maksimale për transparencë, pesë të tjera bien ndjeshëm

Komuna e Prishtinës

Ilustrim

Instituti GAP të martën ka publikuar raportin e përvitshëm “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2024”, i cili vlerëson nivelin e publikimit të dokumenteve buxhetore në të gjitha komunat e Kosovës.

Sipas raportit, nëntë komuna kanë arritur pikët maksimale (100) në këtë indeks, duke shënuar numrin më të lartë të komunave transparente që nga fillimi i matjeve në vitin 2017. Bëhet fjalë për komunat Kaçanik, Klinë, Lipjan, Mitrovicë e Jugut, Prizren, Rahovec, Shtime, Skënderaj dhe Vushtrri.

Komuna me përmirësimin të theksuar është ajo e Mitrovicës së Veriut, e cila ka ngritur performancën për 46 pikë, duke u ngjitur për shtatë vende në renditje. Vitia gjithashtu ka shënuar progres të dukshëm me 45 pikë më shumë se vitin e kaluar, duke arritur në 90 pikë në total, sipas GAP-it.

Ndërkohë, edhe Drenasi, Hani i Elezit dhe Podujeva kanë treguar performancë të lartë me nga 95 pikë secila, ku për shkak të mungesës së një dokumenti në formatin e kërkuar nuk arritën të marrin maksimumin e pikëve.

Megjithatë, raporti evidenton edhe rënie të ndjeshme në disa komuna Ferizaj (-47.5 pikë), Obiliq dhe Malishevë (-25 pikë). Gjakovë (-20 pikë) dhe Suharekë (-10 pikë).

Në total, 22 nga 38 komuna e kaluan mesataren e indeksit prej 61 pikësh, ndërsa u publikuan 227 dokumente buxhetore në faqet zyrtare të komunave gjatë vitit 2024. Dokumentet më të shpeshta ishin Korniza Afatmesme Buxhetore (KAB) dhe raportet financiare.

Sipas të dhënave të GAP-it, 32 komuna kanë organizuar së paku 123 dëgjime buxhetore, ndërsa gjashtë komuna nuk kanë mbajtur asnjë dëgjim të tillë. Dokumenti më pak i publikuar mbetet kartela analitike e kontos, e cila është bërë publike vetëm nga 16 komuna në faqet e tyre zyrtare dhe nga dy komuna përmes emailit, ndonëse kjo shënon përmirësim krahasuar me vitin 2023.

Ndër komunat më jotransparente mbeten Zubin-Potoku dhe Zveçani, të cilat nuk kanë publikuar asnjë dokument buxhetor.