Arbëri

Nëntë inspektorë sanitarë të Mitrovicës e ushtrojnë veprimtarinë nga shtëpia

Nëntë inspektorë sanitarë në rajonin e Mitrovicës, në të cilin përfshihen edhe komuna e Vushtrrisë dhe e Skenderajt, prej gati një viti kanë mbetur pa zyrë.

Në kushte anonimiteti, ata kanë thënë se janë të detyruar ta ushtrojnë veprimtarinë nga shtëpia, në mungesë të hapësirave për punë.

“Fillimisht kemi qenë në komunë. Prej komunës na patën sjellë në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës. I kemi mbajtur zyrat këtu tek Arkiva e qytetit. Prej tetorit 2023 jemi transferuar në Ministrinë e Shëndetësisë. Aty kemi qëndruar në zyrat e vjetra disa muaj. Tash është bërë muaji i dhjetë diku që ne jemi pa zyrë, do të thotë punojmë prej shtëpie, nuk dimë as ku shkojmë, as ku vijmë. Kemi mbetur në rrugë”, ka thënë një inspektor sanitar.

Inspektorati Sanitar funksion në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, e cila organizon dhe e mbikëqyr punën e inspektoratit në tërë territorin e Kosovës.

Për mosgjetjen e një zgjidhjeje, inspektorët e kanë fajësuar udhëheqësin e tyre, Ibrahim Tershnjaku që, sipas ligjit, është përgjegjës për punën e Inspektoratit.

“Sekretari i MSH-së, Naim Bardiqi, një herë ka insistuar të na marrë në Prishtinë, të gjithëve. Ibrahim Tershnjaku nuk po lejon, pasi po kërkon që inspektorati të jetë nëpër regjione. Në Prishtinë i kanë çuar veç një numër më të vogël prej 16 vetave. Sekretari ia ka propozuar amfiteatrin e IKSHPK-së, por ai ka refuzuar dhe ne tash kemi mbetur pa zyre”, ka thënë inspektori sanitar, në kushte anonimiteti.

Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se kanë marrë një objekt me qira, në të cilin e kanë akomoduar Inspektoratin Shëndetësor, atë Sanitar e Farmaceutik, Departamentin për Shëndetësi në Burgje dhe Njësinë Koordinuese të Bankës Botërore.

Edhe në këtë ministri kanë thënë se Tershnjaku nuk i ka pranuar vendosjet në zyrat që janë caktuar.

“Ministria e Shëndetësisë ka siguruar zyra për inspektorët sanitarë në ambientet e Institutit Kombëtar për Shëndet Publik, mirëpo drejtuesi i Inspektoratit Sanitar, përgjegjës për planifikimin e zyrave për akomodimin e inspektorëve, e ka refuzuar adaptimin e zyrave për inspektorët sanitarë brenda ambientit të IKSHPK-së. Natyrisht, Ministria e Shëndetësisë me prioritet po e shqyrton mundësinë për sigurimin e hapësirave për akomodimin e inspektorëve sanitarë, eventualisht në objektin e IKSHPK-së”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Për këto pretendime, Tershnjaku nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet që KOHA i ka adresuar.

Mbikëqyrja sanitare që duhet bërë nga inspektorët e përfshin kontrollin e kualitetit të ushqimit e të kushteve higjieno-sanitare të objekteve të ndryshme.