Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë arritur marrëveshje për të garuar bashkë në komunën e Dragashit në balotazhin që do të mbahet më 9 nëntor.
Këtyre dy partive u janë bashkuar edhe koalicioni VAKAT dhe kandidati i pavarur Nedzmidin Sejdilar.
Kandidati për kryetar të kësaj komune nga PDK-ja, Shaban Shabani e ka quajtur marrëveshjen dëshmi të bashkëpunimit për të ndërtuar një qeverisje të drejtë, transparente dhe në interes të përbashkët të secilit qytetar, pa dallim.
“Para arritjes së marrëveshjes është bërë harmonizimi i programeve dhe parimeve qeverisëse, të cilat do të shërbejnë si bazë për një qeverisje të përgjegjshme, gjithëpërfshirëse dhe në shërbim të qytetarëve të komunës sonë”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndërsa kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të kësaj komune, Filiz Mustafa, ka thënë se janë bërë bashkë për ta këputur mandatin e dytë të kryetarit aktual.
“Pushteti aktual komunal në Sharr duhet të shkojë. Kjo është premisa kryesore mbi të cilën bazohet vendimi ynë. Lëvizja VETËVENDOSJE! në Sharr sikurse në çdo rrugëtim politik duke ruajtur në mënyrë të pakompromis parimet, do të kontribuoj që në këtë proces zgjedhor t’i këputet mandati i dytë një qeverisjeje që nuk i ka sjellë asnjë dobi qytetarëve, por i ka varfëruar edhe më tej e ka pasur tendenca për të sunduar me ta e jo për të shërbyer”, ka shkruar ai.
Në garën për kryetar komune LDK-ja udhëheq me 45.62 për qind, PDK-ja me 28.05 për qind, ndërsa Vetëvendosje me 16.82%.
