Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe të BE-së janë mbledhur sot në Tiranë për Samitin për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian, ku është dikutuar për për integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt tregut të Bashkimit Evropian. Në këtë samit nga Kosova ka marrë pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Pjesëmarrësit janë pritur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Kurti: Paradoks të flitet për zgjerim të BE-së e aplikimi i Kosovës qëndron në raft që 3 vjet

2 muaj më parë / 21 nën 2025 14:21
lurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në Samitin e Planit të Rritjes së BE-së në Tiranë ka kritikuar Bashkimin Evropian për mungesë progresi në dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën.   

Ai e ka quajtur paradoks që të flitet për zgjerimin urgjent të Bashkimit Evropian, kur aplikimi i Kosovës lihet në raftet e BE-së që tri vjet.

“Asnjë vend në rajonin tonë nuk ka qenë më i përgatitur në momentin e kërkimit të statusit të vendit kandidat sesa Kosova sot. Të flitet për urgjencën e zgjerimit (të BE-së) në njërën anë, ndërkohë që lihet aplikimi i Kosovës të mbledhë pluhur për tre vjet në një raft të BE-së, është, së paku, një paradoks. Unë besoj se është e rëndësishme të flasim hapur ndërsa jemi mbledhur për të vlerësuar progresin e Planit të Rritjes. Ne ishim të parët që përmbushëm Agjendën e Reformave dhe disi, tani jemi prapa në zbatimin e saj. Dhe unë e kam mirëpritur kritikën. Ne duhet të jemi në ballë të këtyre reformave”, ka thënë ai.

Derisa ka kërkuar heqjen e plotë të masave të BE-së ndaj Kosovës, Kurti ka thënë se për herë të fundit po e adreson çështjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, teksa ka theksuar se ato “i bëjnë dëm linjëzimit tonë të plotë me Politikën e Përbashkët për Punë të Jashtme dhe Siguri të BE-së”.

Kos u kërkon vendeve të Ballkanit të punojnë më shumë në sigurimin e fondeve nga Plani i Rritjes

2 muaj më parë / 21 nën 2025 11:04
Marta Kos

Komisionerja e Zgjerimit, Marta Kos, gjatë fjalës së saj hyrëse në Samitin për Planin e Rritjes në Tiranë, duke iu referuar Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës, ka thënë se janë dy vende që s’i kanë miratuar ende reformat në kuadër të Planit të Rritjes, teksa ka bërë thirrje që të punojnë më shumë. Ndërkohë që duke iu referuar Shqipërisë dhe Malit të Zi, Kos ka thënë se ato kanë miratuar 55% të reformave të dakorduara. 

Ajo ka përsëritur se Evropa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin Perëndimor si pjesë të saj dhe që blloku evropian ka gabuar në të kaluarën që nuk ka punuar në këtë drejtim.

“Dy nga 6 vendet e Ballkanit nuk kanë filluar të miratojnë reformat. Dy performuesit më të mirë kanë miratuar rreth 55% të reformave të dakorduara. Shoh një lidhje shumë të mirë të avancimin në procesin e anëtarësimit dhe reformave”, ka deklaruar ajo, raporton EuroNews.

Ajo ka theksuar se Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe tani duhet ta bashkojnë me BE-në në formë institucionale.

Sipas saj, Plani i Rritje ka hapur shumë dyer në dy vjet dhe se priten të hapen edhe mundësi të reja të tjera.

“Paketa e zgjerimit te BE e cila ka sjellë një dinamikë të re ne procesin e zgjerimit. Tashmë është një çështje me te cilën ne po punojmë. Gjithnjë e më shumë ka të bëjë me sigurinë, Evropa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin perëndimor. Këto takime për Planin e Rritjes po hapin gjithnjë e më shumë dyer. Shtëpia juaj, Evropa po u pret. Ju jeni pjesë e Evropës ne thjesht duhet ta bëjmë edhe në forme institucionale”, është shprehur Kos.

Kosova – ndonëse ka qenë ndër vendet e para në rajon në përpilimin e reformave që do t'i kryejë - nuk ka arritur të ratifikojë një marrëveshje ndërkombëtare me BE-në në Kuvend që do të mundësonte lëshimin e fondeve. Partitë politike nuk kanë gjetur konsensus, prandaj presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka shpërndarë Kuvendin një ditë më parë dhe ka bërë të ditur se zgjedhjet e reja do të mbahen më 28 dhjetor.

Nga Plani i Rritjes i BE-së, Kosovës i kanë rënë hise rreth 900 milionë euro – që do të thotë se për kokë banori është përfituesja më e madhe e këtyre mjeteve.

Rama: Evropa të zgjedhë Ballkanin, do të jemi truproja juaj

2 muaj më parë / 21 nën 2025 10:27
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në fjalën e hapjes së samitit Plani i Rritjes “Rruga jonë drejt BE” në Tiranë ka thënë se rajoni i Ballkanit Perëndimor po kërkon të rritet me Evropën dhe jo në kurriz të Evropës.

Sipas tij, Ballkani Perëndimor nuk po lutet që të hyjë në BE, por po dëshmon çdo ditë se e meriton të jetë pjesë e unionit.

“Rajoni nuk ka provuar asnjëherë reforma në këtë shkallë në kuadër të planit të rritjes, janë 490 mln euro të lëvruara që prekin financat publike, energjinë dhe të gjitha fushat, e mbyllim me reforma që janë transformuese. Ndërtimi i arterieve të Evropës në korridorin 8 që është kritike edhe për sigurinë në Evropë dhe është kthyer në korridor sigurie për NATO. Është një rajon që kërkon të rritet me Evropën dhe jo në kurriz të Evropës. Evropa është diçka që po e ndërtojmë, Ballkani Perëndimor nuk po kërkon ndere, gjithkush vjen me krenarinë për të ofruar vlerë. Ne nuk po lutemi të hyjmë në BE, po provojmë çdo ditë se jemi gati”, tha Rama.

Sipas tij rajoni ka arritur rezultate dhe e meriton integrimin në BE. 

“Nuk po ecim drejt Evropës me duar bosh e aspak si ata që lypin lëmoshë, po ecim me rezultate të arritura, me detyrat tona të shtëpisë të plotësuara në çdo hap. Të gjithë e dinë, Marta e di më mirë që për sigurinë tuaj zgjidhni i një ballkanas dhe kjo funksionon gjithmonë. Edhe për sigurinë e Evropës, zgjidhni ballkanasit, ne do të jemi truproja e Evropës”, tha ndër të tjera Rama, raporton TopChanel.

Në Samit kanë marrë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos.

Plani i Rritjes, që mbulon periudhën 2024-2027, përmban një paketë prej 6 miliardë eurosh, e miratuar nga BE-ja në fund të vitit 2023, për të përkrahur përafrimin e ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet evropiane.

Për të përfituar nga këto fonde, vendet duhet t’i përfundojnë reformat e kërkuara nga BE-ja, që përfshijnë sektorin privat, tranzicionin e gjelbër dhe digjitalizimin.

Nga kjo paketë, Kosova mund të përfitojë mbi 880 milionë euro, prej të cilave mbi 250 milionë si grant pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formë kredie me kushte të favorshme.

Kosova ishte ndër të parat që miratoi agjendën e reformave, por fondet mbeten të bllokuara për shkak të mungesës së institucioneve që ta ratifikojnë marrëveshjen formale me BE-në.