Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në rrezik transporti i pacientëve në dializë dhe shërbimet emergjente në Ferizaj

ferizaj

Transporti i pacientëve në dializë, furnizimi me barna emergjente dhe një sërë shërbimesh në kujdesin parësor mund të mos ofrohen më në Komunën e Ferizajt. Drejtoria e Shëndetësisë thotë se shkak është mungesa e mjeteve financiare, për të cilën fajëson barrën e krijuar nga Kontrata Kolektive.

Disa shërbime në kujdesin parësor shëndetësor në Komunën e Ferizajt rrezikojnë të mos ofrohen më për shkak të mungesës së mjeteve financiare.

Sipas drejtorit të Shëndetësisë në këtë komunë, Kemajl Emini, kjo situatë është pasojë e zbatimit të Kontratës Kolektive, e cila, sipas tij, e ka rënduar buxhetin komunal me mbi 17 milionë euro.

Ai thotë se për këtë arsye janë vënë në pikëpyetje edhe investimet kapitale të planifikuara, përfshirë blerjen e tri veturave për kujdesin paliativ, aparateve të oksigjenit, si dhe pajisjeve për mjekësinë familjare, fizioterapinë, stomatologjinë dhe shërbimin e urgjencës.

“Ne tashmë do të kemi pamundësi edhe për blerjen e naftës, gjë që mund të çojë deri te pamundësia që Urgjenca 2 të funksionojë. Në të njëjtën kohë, ne e bëjmë edhe transportin e pacientëve në dializë për Spitalin Rajonal të Ferizajt. Ndoshta do të vijë deri te ajo që të pamundësohet bartja e pacientëve në dializë për këta qytetarë”, ka deklaruar Emini.

Sipas Eminit, mungesa e mjeteve financiare do të ndikojë edhe në furnizimin me barna esenciale dhe në ofrimin e shërbimeve të tjera shëndetësore.

Edhe SHSKUK-ja dhe spitalet nuk mohojnë problemet me furnizim të materialit për dializë Arbëri 8 muaj më parë SHSKUK-ja dhe spitalet nuk mohojnë problemet me furnizim të materialit për dializë

“Tashmë do ta kemi të pamundur edhe furnizimin me barna esenciale emergjente për kujdestarinë e natës, emergjencën dhe kujdesin paliativ, duke marrë parasysh që furnizimi me këto barna nga Ministria e Shëndetësisë është i dobët. Në të njëjtën kohë, do të pamundësohet edhe kryerja e analizave për shkak të mungesës së reagentëve, pamundësia e këtyre shërbimeve edhe në stomatologji, si edhe pamundësia e investimeve në kuadër të investimeve kapitale”, ka shtuar ai.

Njohësi i çështjeve të shëndetësisë, Bujar Vitija, thotë se reduktimi i shërbimeve në kujdesin parësor nuk është dukuri e re.

Sipas tij, prej vitesh komunat ankohen për mungesë buxheti dhe pamundësi për të punësuar staf shtesë, ndërsa njëkohësisht vazhdojnë të angazhojnë operatorë ekonomikë për ofrimin e personelit shëndetësor.

“Komunat janë ankuar vazhdimisht për mungesë buxheti dhe për mungesë të vendeve të lira të punës, gjë që ua ka pamundësuar punësimin e stafit shtesë dhe ka ndikuar në mbylljen e këtyre shërbimeve. Nga ana tjetër, po të njëjtat komuna shpenzojnë qindra mijëra euro, madje edhe miliona në vit, duke kontraktuar operatorë ekonomikë për të ofruar personel shëndetësor. Kjo ka krijuar një lloj dualizmi brenda sistemit shëndetësor”, ka thënë Vitia.

Edhe ZKA: Në 24 raste Fondi i Sigurimeve Shëndetësore lëshoi fletëzotime pa u përmbushur kriteret Arbëri 1 d. më parë ZKA: Në 24 raste Fondi i Sigurimeve Shëndetësore lëshoi fletëzotime pa u përmbushur kriteret

KOHA ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës dhe në Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me këto paralajmërime që më shumë se një javë, por nuk ka marrë përgjigje.

Televizioni ka raportuar edhe më herët se Komuna e Ferizajt kishte kërkuar miratimin për punësimin e rreth 100 punëtorëve shtesë shëndetësorë, por nuk kishte marrë mbështetje nga Ministria e Financave.