Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në OVL-UÇK e konsiderojnë të vonuar angazhimin e shtetit kundër procesit në Hagë

gazmend syla

Në Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është duke u ndjekur me vëmendje seanca e sotme e Gjykatës Speciale ku pritet që ish-krerët e UÇK-së ta thonë fjalën e tyre përfundimtare.

Derisa e kanë quajtur procesin të padrejtë, e kanë komentuar edhe angazhimin e institucioneve shtetërore kundër këtij procesi.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Fatmir Sopi, në një lidhje direkte në emisionin “tre8tre” në KTV, duke e komentuar praninë e ministrit të Punëve të Jashtme në Hagë, Glauk Konjufca, e ka quajtur të vonuar praninë e shtetit në këtë proces.

Sipas tij, shteti do duhej të angazhohej që nga fillimi, pasi sipas tij, bëhet fjalë për luftën e drejtë të UÇK-së.

Ka shtuar se e drejta është në anën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Presim edhe sot fjalën e tyre përfundimtare. Ata do ta përmbledhin gjithë veprimtarinë e tyre në interes të atdheut. Ne sot jemi të lirë falë punës së tyre. Populli në protesta të vazhdueshme e tha që asnjë vendim tjetër pos lirimit të tyre nuk është i pranueshëm”, ka thënë ai.

Nënkryetari i OVL-UÇK, Gazmend Syla, ka thënë se seanca e sotme është një nga ngjarjet më të rëndësishme, sepse sipas tij, bëhet fjalë për historinë e vendit.

Ka deklaruar se do të ishte mirë që gjyqtarët të mos flenë në gjumë dhe t’i dëgjojnë fjalët e mbrojtjes.

Sipas tij, prokuroria e kësaj gjykata ka pasur bashkëpunim të ngushtë me Serbinë.

“Deklaratat e zyrtarëve amerikanë e tregojnë të vërtetën e luftës tonë sepse ata kanë qenë dëshmitarë okularë. Ne mendojmë që mbrojtja e ka bë punën siç është më së miri”, ka thënë ai.

Duke folur për mbrojtjen, ai ka thënë se ishin të sigurt për atë çfarë thoshin.

Syla ka shtuar se mbrojtja foli edhe për dëshmitarë që nuk kanë pranuar të përballen me avokatët dhe gjykatësit.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi po akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale, lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata janë të arrestuar qe gjashtë vjet. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha akuzat që u ngarkohen.

Në javën e shkuar e edhe të hënën është dhënë fjala përfundimtare nga palët. Prokuroria e Gjykatës Speciale ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin, ndërsa mbrojtja lirimin pasi ka konstatuar se organi i akuzës nuk ka argumentuar me asgjë pretendimet e saj.

Ndërkohë, në Prishtinë, të martën përveç aktiviteteve për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë, është mbajtur edhe një protestë me pjesëmarrje të gjerë në mbështetje të të akuzuarve. Kuvendi i Kosovës ka miratuar gjithashtu një rezolutë, ku theksohet nevoja për një proces të rregullt dhe të drejtë ligjor në Hagë.