Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Klinika pa sistem ventilimi

Në Klinikën e Pulmologjisë mungon sistemi i klimatizimit dhe ventilimit. Mjekët dhe pacientët detyrohen që të gjejnë rrugë alternative për t’iu përshtatur temperaturave. Drejtori i Klinikës thotë se pasojat për shëndetin e pacientëve mund të jenë të theksueshme, teksa shton që nga SHSKUK-ja kanë munguar veprimet në kërkesat e adresuara për zgjidhjen e problemit. E në këtë shërbim, me gjithë pyetjet e adresuara nga KOHA rreth një javë më parë, nuk u përgjigjën për zgjidhjet e planifikuara

Në Klinikën ku trajtohen pacientët që kanë probleme në rrugët e frymëmarrjes, nuk ka sistem të ajrosjes e të ventilimit.

Në mungesë të tyre, pacientët dhe pjesëtarët e stafit të Klinikës së Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare thonë se detyrohen që të përdorin rrugë alternative për t’iu përshtatur kushteve klimatike.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Hapja e dritareve, sipas pacientëve, është zgjidhja që ata bëjnë për të ajrosur hapësirat gjatë mbretërimit të temperaturave të larta.

“Temperatura përafërsisht është e njëjtë, konstante. Nuk është as dielli i madh e as vranësirat e mëdha. Në mëngjes i hapim dritaret për pak, veç sa për ajrosje, kurse menjëherë i mbyllim”, ka thënë pacienti Rrahim Bajgora.

Por hapja e dritareve përcillet edhe me disa pasoja, si mundësia e futjes në dhoma e insekteve të ndryshme.

Musa Hoxha, pulmolog dhe drejtor i Klinikës, ka thënë se mospajisja me sistem të ajrosjes ndikon në dehidratimin e pacientëve.

“Për muajt e verës dhe temperaturat e larta, ndikon po ashtu edhe në dehidratim të pacientëve dhe në gjendjen e tyre të përgjithshme, për shkak të gjendjes së tyre klinike. Por në anën tjetër, në klinikën tonë, përveç klimatizimit, ka nevojë edhe për ventilim, kur dihet se infeksionet e ndryshme janë prezente gjithmonë në klinikat, në përgjithësi në QKUK. Por sidomos në disa klinika, siç është Klinika e Pulmologjisë, që e kemi edhe repartin e sëmundjeve specifike dhe tuberkulozin”, ka thënë Hoxha.

Ai thotë se në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar ka adresuar kërkesa për investime në drejtim të sigurimit të ajrimit, porse me gjithë premtimet kanë munguar veprimet.

Lidhur me këtë problem në Klinikën e Pulmologjisë KOHA ka adresuar pyetje në SHSKUK, porse përgjigjet nuk i ka marrë as pas gati një jave.