Arbëri

Në Klinikën Infektive e kualifikojnë të qetë situatën me COVID-19

Brenda dy javësh të muajit shtator, në Kosovë u regjistruan 67 raste pozitive dhe një vdekje si pasojë e COVID-19. Por në Klinikën Infektive thanë se numri i të prekurve nga sëmundja që shkaktohet prej koronavirusit është në suazat e normales dhe se nuk ka vend për shqetësim. Si rrjedhojë, institucionet shëndetësore në Kosovë nuk kanë njoftuar për rikthimin e disa prej masave kufizuese. Por kjo mundësi është paralajmëruar në disa nga vendet në rajon, pas rritjes së bilancit me të prekur

E qetë është kualifikuar situata me COVID-19 në Kosovë, ndonëse gjatë dy javëve të para të shtatorit në nivel vendi janë regjistruan 67 raste pozitive dhe një i vdekur nga sëmundja e shkaktuar prej koronavirusit.

Si pasojë e shtimit të rasteve gjatë kohëve të fundit, disa nga vendet e rajonit e kanë paralajmëruar mundësinë për rikthimin e disa masave kufizuese.

Por drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj, thotë se numri i të prekurve nga COVID-19 në Kosovë është në suazat e normales dhe se nuk ka vend për shqetësim.

“Kemi numër të rëndomtë të infektuarve. Kemi një pacient i cili është infektuar me COVID-19 dhe ai ka një sëmundje tjetër kronike dhe ka rënë në kontakt me virusin e COVID-19, pra, është një situatë e qetë epidemiologjike dhe asgjë diçka risi në këtë drejtim nuk ka... Ne kemi pasur një pacient i cili ka përfunduar me fatalitet por paraprakisht ka pasur sëmundje malinje, stadi terminal i sëmundjes, dhe nuk mund të themi që shkaktari drejtpërdrejt ka qenë infeksioni me COVID-19. Por shakatari kryesor i përfundimit me vdekje i pacientit ka qenë sëmundja, pikërisht sëmundja stadi terminal i sëmundjes malinje dhe njëkohësisht ka rënë në kontakt me virusin corona”, ka thënë Vishaj.

Dy ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftuan se kanë ngritur kapacitetet laboratorike dhe se kanë analizuar mostra të rasteve pozitive nga periudha midis muajve prill-gusht.

Infektologu Vishaj tha se sëmundja tani nuk po manifestohet me forma të ashpra, si para periudhës së vaksinimit.

“.... Ajo që është duke u vërejtur sepse tashmë nuk kemi forma siç kemi pasur më përpara dhe një testim prej 67 personave të prekur pozitiv që janë grumbulluar për një javë nuk do të thotë që është një numër shumë i madh i të infektuarve. Në shkallë të një popullate që gjatë periudhës së ardhjes së mërgimtareve mbase ka qenë një popullatë 2 milionëshe kemi pasur dy tre raste dhe nuk bëhet fjalë asnjëherë për ndonjë rikthim të COVID-it ose ndonjë situatë paniku”, ka shtuar ai.

Institucionet shëndetësore në Kosovë deri më tani nuk kanë paralajmëruar për rikthim të masave. Por kjo mundësi është ngritur në disa nga shtetet fqinje.

Në Serbi, Ministria e Shëndetësisë ka rekomanduar vendosjen e maskave nëpër spitale e në institucione shëndetësore, sikurse edhe testimin e detyrueshëm të punonjësve shëndetësorë.

E në Maqedoninë e Veriut, që nga fundi i gushtit është paralajmëruar zbatimi i disa kufizimeve gjatë vjeshtës, në zonat ku do të ketë paraqitje të numrit të lartë të qytetarëve që rezultojnë pozitivë në testet për COVID-19.