Arbëri

Në gjykimin për “veteranët”, mbrojtja pritet të thërrasë si dëshmitarë ish-komandantë të UÇK-së

Me 6 dëshmitarë të dëgjuar, Prokuroria Speciale po pretendon të argumentojë se në listat e veteranëve pati keqpërdorime.

Rrahman Rama, Sami Lushtaku, Spiro Butko, Hysni Gucati, Bujar Shala dhe Avdi Raci, ishin dëshmitarët të cilët përfunduan dëshmitë kundër 11 të akuzuarve, në krye me Agim Çekun dhe të tjerët, raporton KTV.

Në anën tjetër, mbrojtja e të akuzuarve është duke shqyrtuar mundësinë që të propozojë prova dhe dëshmitarë të tjerë në këtë proces.

Dëshmitarë të propozuar nga mbrojtja pritet të jenë edhe-ish komandantë e ish-eprorë të UÇK-së, si dhe disa prej veteranëve të cilët në lista po figurojnë si të rremë.

Në seancën e 5 dhjetorit, në pyetje u mor komandant i FSK-së, Rrahman Rama, deklarata e të cilit mbeti pa u dëgjuar për shkak të një vendimi të gjyqtares Nushe Kukaj-Mekaj, e cila ua ndaloi mediave publikimin e tyre deri në dëgjimin e të gjithë dëshmitarëve. Aty, Rama foli për mënyrën se si ishte bërë verifikimi i statusit të veteranit.

Rama, në deklaratën e tij, ka thënë se kishte ngritur shqetësimin se nuk ishin duke u aplikuar kriteret e njëjta për të gjithë aplikuesit.

Këtu, Rama është pyetur edhe për 187 veteranë të zonës së tij të cilët, sipas Prokurorisë, kishin përfituar kundërligjshëm statusin e veteranit.

Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës zyrtare akuzohen ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë.

Ata akuzohen për kohën sa ishin pjesë e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të luftës së UÇK-së.