Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës në regjionin e Ferizajt së fundi ka nisur një aksion për inspektimin e furrave të bukës dhe bizneseve të tjera që kanë të bëjnë me ushqimin, lidhur me gjendjen e tyre higjienike.
Deri më tash janë shqiptuar dhjetëra vërejtje e ndëshkime me qëllim të përmirësimit të gjendjes së objekteve dhe kushteve tjera.
Selami Salihu, drejtor i AUV-it për regjionin e Ferizajt, ka thënë se aktivitetet janë zgjeruar në disa komuna.
“Përveç monitorimit të përditshëm për zbatimin e masave anti-Covid, është duke vazhduar inspektimi edhe në furra të bukës, pastaj në thertore të kafshëve, mishtore, markete ushqimore, gastronomi e institucione paraarsimore. Nga ana e inspektorateve janë dhënë vërejtje dhe janë shqiptuar dhjetëra gjoba si masa ndëshkuese për shkelje masash anti-Covid, për mosplotësim të kushteve higjienike në disa furra të bukës dhe për konsumim të duhanit brenda hapësirave të mbyllura”, ka thënë Salihu.
Sipas tij, inspektimi do të vazhdojë sipas planit nacional të kontrolleve zyrtare dhe ankesave të konsumatorëve.