Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kabinetin qeveritar dhe familjarë të dëshmorëve, ka bërë homazhe me rastin e 27-vjetorit të rënies së Ilir Konushevcit dhe Hazir Malajt.
Kurti ka theksuar rolin kyç të Ilir Konushevcit në logjistikën e UÇK-së dhe kontributin e tij të pazëvendësueshëm në furnizimin me armatim në kohë të vështira.
Ai ka thënë se veprimtaria e Konushevcit nisi më 13 maj 1992 dhe vazhdoi pandërprerë deri në rënien e tij heroike, duke shtuar se pa njerëz si ai, lufta çlirimtare nuk do të ishte e mundur.
“Ilir Konushevci-Mërgimi ishte pasardhës i denjë i Zahir Pajazitit dhe ishte shpirti i UÇK-së, meqenëse ishte në krye të logjistikës dhe furnizimit në një kohë të vështirë, ku UÇK-ja po përballej me një ushtri që ishte shumëfish më e pajisur me armatim dhe municion, por me vullnetin e çeliktë të luftëtarëve si puna e Ilir Konushevcit dhe ajo që ishte e paimagjinueshme bëhej e mundur. UÇK-ja jo vetëm që merrte pjesë në beteja, por ngadhënjente aty. Ilir Konushevci e ka nisur veprimtarinë e tij saktësisht më 13 maj 1992, atëherë kur u formua organizata e fshehtë politike ‘Shqiponja’ dhe prej asaj dite nuk u nda asnjëherë në organizimin e shtimit të radhëve te ushtarëve të UÇK-së. Kur i kujtojmë dëshmorët e kombit, heronjtë e parë që kanë punuar në vitet ‘90 duhet ta kujtojmë që kishim luftëtarë edhe para luftës çlirimtare. Pa njerëz si Iliri nuk mund ta kishim luftën çlirimtare. Andaj homazhet tona tek dëshmorët shprehim mirënjohjen e thellë”, ka deklaruar Kurti.
Konushevci është kujtuar edhe nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Mund të them me të drejtë se Ilir Konushevci ishte nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Një luftëtar i hershëm, bashkëluftëtarë i heroit Zahir Pajaziti, e shumë të tjerëve, Luanit e Shkelzenit. Njëkohësisht një koleg i mirë i ynë, mjaftë i rëndësishëm atë kohë. Sot nderojmë me respekt doktorin Hazir Mala, bashkëkombësi i yni nga Tropoja, i cili me vetëdijen me të lartë kombëtare iu bashkua UÇK-së dhe ra krah përkrah me Ilirin. Do t’i nderojmë dhe përkujtojmë për jetë”, ka theksuar Haradinaj, i cili ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në "Velani".