Sektori i ndërtimtarisë llogaritet nga Agjencia Tatimore e Kosovës si sektori që ka më së shumti shmangie të tatimeve.
Drejtori i ATK-së, Mentor Hyseni, në emisionin “60 Minuta” në KTV ka thënë se sektorët që sjellin më së shumti të ardhura janë ai i ndërtimtarisë dhe hotelierisë.
ATK-ja në vitin 2025 ka regjistruar për herë të praë mbi 1 miliard euro të hyra. E bizneset llogaritet të kenë pasur qarkullim rreth 25 miliardë euro.
Mbi 1 miliard euro kanë qenë të hyrat gjatë vitit 2025, ka njoftuar Administrata Tatimore e Kosovës. E bizneset ka thënë se llogaritet të kenë pasur qarkullim rreth 25 miliardë euro.
“Sektorët më të ndjeshëm ose që konsiderohen që sjellin të ardhura më shumë janë kryesisht sektori i ndërtimtarisë dhe i hotelerisë... Por, nëse ndalemi vetëm te sektori i ndërtimit që duket që në Kosovë sektori i ndërtimit ka bërë më së shumti lëvizje ose një boom ekonomik në aspektin e ndërtimit, kjo nuk reflekton në të njëjtën mënyrë në çështjen e rritjes së pagesës së tatimit në anën tjetër. Konsideroj që sektori i ndërtimit mund të jetë prej sektorëve që ka shmangie më shumë”, ka thënë Hyseni, që ka shtuar se për një vit ky sektor ka shënuar rritje rreth 3 milionë nga 70 milionë në 73 milionë.
Hyseni po ashtu ka thënë se një sektor tjetër që ka shmangie shumë e që nuk është trajtuar ende nga ATK-ja, është sektori i shërbimeve mjekësore.
“Ky është sektori që potencialisht më 2026 do të bëjmë projekt ose program të veçantë për identifikimin ose targetimin e shmangieve tatimore që bëhen në këtë sektor. Qoftë shërbime estetike që kanë të bëjnë me mbjelljen e flokëve, implantin e dhëmbëve, etj”, u shpreh ai.
Ministri në detyrë i Financave, Punës e Transfereve, Hekuran Murati, të hënën tha se Administrata Tatimore e Kosovës është një nga shtyllat kryesore në funksionimin e shtetit dhe mbushjen e buxhetit publik, ku theksoi ndër të tjera se pati edhe rritje të numrit të të punësuarve.
“Gjatë 5 vjetëve të fundit ATK ka shënuar arritje të jashtëzakonshme si në rritjen e të hyrave të mbledhura ashtu edhe në përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve ndaj tatimpaguesve dhe një nga treguesit e kësaj performance është edhe tejkalimi i shifrës 1 miliard euro të hyrat nga tatimet apo të mbledhurat nga ATK, një fakt që e dëshmon se është një rritje e vazhdueshme e besimit të qytetarëve në institucionet tona. Konkretisht, ju them edhe raportin ditor që e pranoj si ministër, shifra prej 1 miliard euro për herë të parë në historinë e ATK-së është mbledhur apo është përmbushur me 16 dhjetor të këtij viti. Ende pa u mbyllur viti është shënuar rekord historik. Kjo shifër nuk është e rastësishme sepse ngjashëm ka performuar edhe aspekti ekonomik. Kemi biznese që këtë vit pritet ta mbyllin me rreth 25 miliard euro qarkullim, ndërkaq hiç më larg se para pesë viteve ishte 11.5 miliardë euro. Gjithashtu nuk është rritur vetëm qarkullimi por kemi edhe rritje të fitimit të bizneseve. Nëse marrim për bazë tatimin në fitimin e korporatave, pra si indikator e shohim që fitimi bizneseve tashmë ka tejkaluar shifrën prej 2 miliardë euro, pra pritet të jetë 2.3 miliardë euro, ndërsa para pesë vitesh ka qenë rreth 900 milionë euro. Ngjashëm kemi të bëjmë edhe me trendin e numrit të të punësuarve. Numri, apo shifra e të punësuarve në muajt e fundit tregon që ka arritur, apo ka prekur numrin prej 435 mijë vende pune aktive që kanë të raportuara në ATK, kurse para pesë vitesh ishte 350 mijë”, tha Murati.