Arbëri

Ndalohet për 48 orë edhe një kryekomisioner në Malishevë

Kryekomisioneret ne Malisheve

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se edhe një tjetër kryesues i komisionit i cili ishte i angazhuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit në Malishevë është ndaluar për 48 orë. Ai nuk ishte prezent kur iu caktua e njëjta masë kryekomisionerëve të tjerë më datën 28 janar.

Të njëjtit dyshohen për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit.

“Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton opinionin publik, se më datë 28 janar 2026 ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave brenda subjekteve politike për zgjedhjet e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në Komunën e Malishevës. Meqenëse në datën e lartë cekur nuk ishte siguruar prezenca e një (1) kryesuesi të komisionit, sot më datë 2 shkurt 2026 është siguruar prezenca e tij për intervistim. Pas veprimeve procedurale, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim për ndalimin e tij prej 48 orësh”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore.

Ndaj të njëjtit, Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, për shkak të veprës penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndaj 15 kryekomisionerëve të tjerë në Malishevë, gjykata u caktoi një muaj paraburgim nën dyshimin për dallaveret me vota.