Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

NATO e Pentagon: Nuk konsiderohen ndryshime të rëndësishme te misioni i KFOR-it

KFOR

Një zyrtar i NATO-s ka theksuar se forca dhe pozicioni i KFOR-it rishikohen dhe përshtaten periodikisht me ndryshimin e rrethanave, në mënyrë që misioni të mbetet i përshtatshëm për qëllimin. Këtë ai e ka thënë pasi është pyetur për sqarime pas raportimeve të gazetës amerikane “Politico”, e cila, duke i cituar katër diplomatë të aleancës, ka shkruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) po kërkojnë nga NATO-ja që ta reduktojë aktivitetin e saj të jashtëm, përfshirë edhe në misionin paqeruajtës në Kosovë – KFOR

Një zyrtar i NATO-s i ka thënë të enjten Radios Evropa e Lirë (REL) se aktualisht nuk janë duke u shqyrtuar ndryshime të rëndësishme në misionin që kjo Aleancë e ka në Kosovë, KFOR.

Ky zyrtar ka theksuar se forca dhe pozicioni i KFOR-it rishikohen dhe përshtaten periodikisht me ndryshimin e rrethanave, në mënyrë që misioni të mbetet i përshtatshëm për qëllimin.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

REL-i i është drejtuar NATO-s për sqarime pas raportimeve të gazetës amerikane “Politico”, e cila, duke i cituar katër diplomatë të aleancës, ka shkruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) po kërkojnë nga NATO-ja që ta reduktojë aktivitetin e saj të jashtëm, përfshirë edhe në misionin paqeruajtës në Kosovë – KFOR.

Në përgjigjen e zyrtarit të NATO-s është përmendur se SHBA-ja luan rol thelbësor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal. Megjithëkëtë, zyrtari i NATO-s ka thënë se autoritetet amerikane janë adresa për më shumë hollësi.

E një zyrtar i Departamentit amerikan të Mbrojtjes tha se, aktualisht, nuk ka ndonjë ndryshim në dislokimin e forcave amerikane.

“Sot, nuk kemi për të njoftuar ndonjë ndryshim në dislokimin e forcave”, tha ai në përgjigjen me shkrim.

REL-i ka kërkuar më shumë informacion edhe nga Ambasada amerikane në Prishtinë, Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Mbrojtjes, porse nuk ka marrë përgjigje. Mes tjerash, zyrtari i NATO-s ka treguar se aktualisht, SHBA-ja i ka rreth 600 trupa të angazhuar në misionin e KFOR-it dhe e ka udhëheqjen e Komandës Rajonale Lindje.

Komanda Rajonale Lindje kontribuon në aktivitetet e përditshme të KFOR-it në mënyra të ndryshme, duke përfshirë patrullimet, ushtrimet, angazhimet me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve lokale dhe mbështetjen e projekteve të rindërtimit dhe zhvillimit ekonomik.

Çfarë thuhet në artikullin e “Politicos”?

Sipas “Politicos”, në muajt e fundit Washingtoni ka lobuar për reduktimin e operacionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, që të përfundojë misioni në Irak dhe që aleatët nga Indo-Paqësori të mos marrin pjesë në samitin vjetor të Aleancës që mbahet në Ankara të Turqisë në korrik.

Ky raportim u bë pasi vitin e shkuar janë ngritur shqetësime në mesin e shteteve evropiane se SHBA-ja mund të tërhiqte plotësisht trupat e saj nga Evropa.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, asokohe ka porositur Evropën se duhet të përgatitet për një rishikim dhe reduktim eventual të pranisë ushtarake amerikane. Megjithëkëtë, tërheqje të plotë nuk pati dhe, në tetor, SHBA-ja njoftoi për tërheqjen e disa trupave nga Rumania. Kjo tërheqje, u tha se ishte pjesë e një strategjie më të gjerë të SHBA-së që të përqendrohet në Indo-Paqësor.

SHBA-ja ka 590 trupa në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it. Në mes të shqetësimeve për një tërheqje të trupave amerikane nga Evropa, në mars të vitit 2025, Departamenti amerikan i Mbrojtjes i tha Radios Evropa e Lirë se “tash për tash, nuk ka asnjë ndryshim në pozicionimin e forcave për të njoftuar”.

Nga afër 50.000 trupa sa ishin dislokuar më 1999, pas përfundimit të luftës, në Kosovë aktualisht janë 4.767 trupa paqeruajtëse të KFOR-it nga 33 shtete të ndryshme. Nga ta, 590 trupa janë nga Shtetet e Bashkuara.

Ndërkaq, kampi Bondsteel, që gjendet pranë Ferizajt, shërben si baza më e madhe ushtarake e SHBA-së në Ballkan.

Kosova e konsideron si qenësore aleancën me Shtetet e Bashkuara, vend që ka kontribuar në pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX. Ky mision paqeruajtës i NATO-s, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

NATO-ja e kishte shtuar praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe, që kulmuan me sulmin ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i serbëve të armatosur në Banjskë të Zveçanit në shtator të po atij viti.