Ish-kryeministri i Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka kërkuar nga Qeveria në detyrë të mos qëndrojë në pushtet jashtëligjshëm.
Në një postim në profilin e tij në Facebook ka shkruar se në prag të certifikimit të rezultateve zgjedhore të vitit 2017, në konsultim me Zyrën Ligjore të KM dhe me këshilltarin juridik të kryeministrit, në harmoni me nenin 72 të Kushtetutës, si kryeministër në detyrë pati liruar nga detyra një zëvendës kryeministër dhe 8 ministra të cilët kishin fituar mandatin e deputetit.
Ka theksuar se qeveritarët e liruar nga detyra ishin: Ramiz Kelmendi, zëvendëskryeministër, ministrat; Kujtim Shala, Avdullah Hoti, Enver Hoxhaj, Lutfi Zharku, Memli Krasniqi, Hykmete Bajrami, Arban Abrashi dhe Rasim Demiri.
“Këtë veprim nuk e ndërmorëm që të jemi shembull i zbatimit të Kushtetutës, por që të preventojmë të mos bëhemi shembull i shkeljes së saj. Në fakt, çdo njëri prej tyre kërkoi që mandati i tij/i saj në qeveri të mos bie në mospërputhshmëri kushtetuese me mandatin legjislativ, edhe pse në atë kohë Kosova nuk e kishte Ligjin për Qeverinë, i cili tani në mënyrë eksplicite e bënë ligjërisht të detyrueshme normën kushtetuese se asnjë person nuk mundet në të njëjtën kohë të ushtrojë pozita ekzekutive dhe ato legjislative”, ka shkruar ai.
Sipas Mustafës, këtë e tha edhe Gjykata Supreme para disa ditësh.
Ka deklaruar se Qeveria në detyrë nuk duhet t’i lejojë vetes veprim antikushtetues dhe të qëndrojë në pushtet në shkelje të ligjit.
Sipas tij, sidoqoftë brishtësia e fuqisë pushtetore provohet më së miri kur të biesh nga pushteti.
“Atëherë jo vetëm se do duhej dhënë përgjegjësi për veprime jo legale dhe jo legjitime por edhe të pret përgjegjësia individuale para ligjit për pasojat e krijuara nga mospërfillja e gjyqësorit”, ka shkruar ai në Facebook.