Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shprehur mbështetjen për protestën e thirrur më 7 gusht nga veteranët e luftës, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së vlerave të luftës çlirimtare dhe të drejtësisë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po gjykohen në Hagë.
“Është detyrë e gjithë neve të mbrojmë vlerat e luftës, dhe të mos lejojmë të rishkruhet historia me dëshmi të instrumenteve të pushtetit serb që ushtroi dhunë, represion dhe gjenocid në Kosovë”, ka shkruar në Facebook Mustafa, i cili në kohën kur Kuvendi i Kosovës ka marrë vendim për themelimin e Gjykatës Speciale, ka qenë kryeministër, në qeverinë që e përbënin partia e tij LDK-ja dhe PDK-ja.
Ai ka theksuar se shteti i Kosovës është rezultat i dy shtyllave, rezistencës paqësore të udhëhequr nga presidenti Ibrahim Rugova dhe luftës së armatosur të UÇK-së.
Sipas tij, këto janë vlera të përbashkëta që nuk duhet relativizuar.
Mustafa ka kujtuar se Kuvendi i Kosovës, me besim të plotë në drejtësinë ndërkombëtare, kishte votuar themelimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.
“Jam dëshmitar se këtë besim e kishin edhe asokohe presidenti Thaçi dhe kryeparlamentari Veseli, me të cilët kam punuar në atë kohë”, ka shtuar ai.
Sipas tij, askush nuk e kishte menduar se drejtësia do të merrte kthesën e tanishme.
“Askujt s’do t’i shkonte mendja se bartësit kryesorë të luftës për të mbrojtur pragun e shtëpisë, njerëz me rol kyç në Rambuje, në bisedimet e Vjenës dhe në shpalljen e pavarësisë, do të përballeshin me akuza për ndërmarrje të përbashkët kriminale”, ka thënë Mustafa.
Ai ka shtuar se, pavarësisht dallimeve politike me Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin, në këtë rast mbështet kauzën e tyre për drejtësi.
“Kemi garuar se kush e bën Kosovën më mirë. Por në këtë rast, sikur ta kisha shëndetin, me 7 gusht do të isha edhe unë në shesh”, ka shkruar ish-kryetari i LDK-së.
Vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale, ishte marrë në gusht të vitit 2015 dhe ishte mbështetur nga deputetët e LDK-së dhe të PDK-së.