Arbëri

Murati - Mustafës: LDK s’pritej të ishte në qeverinë e ardhshme më 2017, andaj liroi zyrat

Hekuran Murati

Foto: Driton Paçarada

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i ka reaguar ish-kryeministrit Isa Mustafa pasi ky i fundit kërkoi nga Qeveria në detyrë që të mos qëndrojë në pushtet jashtëligjshëm. Mustafa ka thënë se si kryeministër më 2017 pati liruar nga detya një zëvendëskryeministër e 8 ministra që patën fituar mandatin e deputetit.

Por, Murati në reagimin në Facebook ka shkruar se LDK-ja liroi zyrat atë kohë sepse nuk pritet që do të vazhdonin në qeverinë e ardhshme, dhe jo për shkak të Kushtetutës.

“Qeveria Mustafa ishte shkarkuar me mocion mos-besimi me datë 10 maj 2017. Mocioni ishte mbështetur edhe nga partneri i atëhershëm i koalicionit, PDK-ja... Pas zgjedhjeve të mbajtura me 11 qershor 2017, koalicioni PAN kishte dalë i pari, Lëvizja Vetëvendosje e dyta, ndërsa LDK e treta. Pra as që pritej se LDK do të ishte edhe në qeverinë e ardhshme pas zgjedhjeve, prandaj kishte pasuar edhe lirimi i zyrave. Kjo ka qenë arsyeja pse ministrat e LDK-së kishin liruar zyret, sepse ishin të shkarkuar nga Kuvendi, dhe nuk pritej që do të vazhdonin në qeverinë e ardhshme. Jo për shkak të nenit 72 të Kushtetutës”, ka shkruar Murati.

Isa Mustafa ka shkruar se në prag të certifikimit të rezultateve zgjedhore të vitit 2017, në konsultim me Zyrën Ligjore të KM dhe me këshilltarin juridik të kryeministrit, në harmoni me nenin 72 të Kushtetutës, si kryeministër në detyrë pati liruar nga detyra një zëvendës kryeministër dhe 8 ministra të cilët kishin fituar mandatin e deputetit.

“Këtë veprim nuk e ndërmorëm që të jemi shembull i zbatimit të Kushtetutës, por që të preventojmë të mos bëhemi shembull i shkeljes së saj. Në fakt, çdo njëri prej tyre kërkoi që mandati i tij/i saj në qeveri të mos bie në mospërputhshmëri kushtetuese me mandatin legjislativ, edhe pse në atë kohë Kosova nuk e kishte Ligjin për Qeverinë, i cili tani në mënyrë eksplicite e bënë ligjërisht të detyrueshme normën kushtetuese se asnjë person nuk mundet në të njëjtën kohë të ushtrojë pozita ekzekutive dhe ato legjislative”, ka shkruar ai.

Sipas Mustafës, këtë e tha edhe Gjykata Supreme para disa ditësh.