Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ekonomia e Kosovës vazhdon të shënojë rritje, duke demantuar pretendimet opozitar se ka rënie.
Murati ka përmendur të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) të publikuara dje, ku Bruto Produkti Vendor (BPV) për tremujorin e dytë të vitit 2025 shënoi një rritje prej 4,58%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024, që ishte 4,32%, duke treguar përshpejtim të rritjes ekonomike.
Sipas ASK-së, rritje në këtë tremujor kanë shënuar disa aktivitete ekonomike, duke përfshirë ndërtimtari (4,15%), aktivitetet financiare dhe të sigurimit (8,79%), aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike, si dhe shërbimet administrative dhe mbështetëse (4,27%), industria përpunuese (3,34%), administrata publike, arsimi, shëndetësia dhe aktivitetet sociale (0,99%), tregtia me shumicë dhe pakicë, transporti dhe akomodimi (3,62%), arti dhe argëtimi (2,83%), informacioni dhe komunikimi (2,38%), bujqësia, pyjet dhe peshkimi (2,98%), dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme (0,44%).
Ndërkaq, rënie është regjistruar në disa sektorë si industria nxjerrëse, energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër, furnizimi me ujë, si dhe menaxhimi i mbeturinave dhe rehabilitimi, me një ulje prej 6,79%.
Murati ka theksuar se këto shifra tregojnë përshpejtim të rritjes ekonomike dhe janë tregues i qartë se ekonomia po ecën përpara, duke demantuar pretendimet opozitare mbi gjendjen e saj.
“Edhe kësaj radhe, faktet dhe shifrat demantojnë pretendimet opozitare për kahjen ekonomike të vendit”, ka shkruar ai në një postim në rrjetet sociale, duke e cilësuar si “një lajm të mirë për fundjavë”.
Bajrami i përgjigjet Muratit për rritjen ekonomike: Po inflacioni?
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, i është përgjigjur ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili më herët publikoi të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe u shpreh se ekonomia e Kosovës po vazhdon të rritet e po demantohet pretendimet opozitare.
Por në një status në Facebook, Bajrami ka bërë thirrje që të pyetet Murati se sa ishte inflacioni më i lartë në gusht të këtij vitit krahasuar me vitin e kaluar.
“Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për muajin gusht 2025 inflacioni është 4.5% më i lartë se në muajin gusht 2024. Pyeteni Hekuran Muratin se çfarë lajmi është ky për Kosovën”, ka shkruar Bajrami.