Numri i vogël i asamblistëve që ka pushteti në Kuvendin Komunal të Shtimes po ia vështirëson punën kryetarit të saj. Këtë gjë po e shfrytëzon PDK-ja, e cila sa herë ka mospajtime lëshon sallën, gjë që pamundëson vazhdimin e seancave në mungesë kuorumi.
Mbledhja e Kuvendit Komunal në Shtime të martën ka nisur me një varg akuzash e përplasjesh ndërmjet pozitës e opozitës.
Por seanca dështoi në mungesë të kuorumit, pasi që opozita nga PDK-ja e liroi sallën.
Kjo u bë me arsyetimin se ekzekutivi po ndërhyn në punën e Kuvendit duke i shkelur ligjet në fuqi dhe rregulloren e punës së tij.
“PDK është duke e lëshuar seancën për shkak se kemi të bëjmë me shkelje të rregullores së punës së Kuvendit dhe komiteteve, përkatësisht neni 6 dhe pika 6.3 e kësaj rregulloreje, e cila thotë se anëtari i Kuvendit ka të drejtë të propozojë pika shtesë për rendin e ditës e për çka nuk është lejuar nga ana e kryesuesit dhe e ekzekutivit që kjo pikë të propozohet dhe ka pasur edhe ndërprerje të qëllimshme të seancës së Kuvendit”, ka thënë asamblisti i PDK-së, Rrahman Jakupi.
Monitoruesit e Komunës kanë thënë se pozita dhe opozita duhet të gjejnë bashkëpunim për t’i çuar përpara punimet e Kuvendit Komunal.
“Ne si OJQ që monitorojmë institucionet lokale në Komunën e Shtimes, në këtë rast Kuvendin Komunal në Shtime i bëjmë thirrje edhe opozitës dhe pozitës që të jenë më konstruktive dhe bashkëpunuese në të mirë të qytetarëve të Komunës së Shtimes, sepse Kuvendi duhet të jetë një institucion që ngrit problemet dhe nevojat e qytetarëve dhe kontribuon në qeverisjen lokale”, ka deklaruar Ferdian Shala, monitorues në “YAHR”.
E kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka thënë se opozita nuk duhet të bëjë veprime të tilla.
“Dikush ka harruar se për çfarë ka ardhur këtu. Po keqpërdoren karriget e të qenit asamblist dhe përfaqësues të popullit. Sapo e kuptova se kjo opozitë ende nuk është pajtuar me ndryshimin që ka ndodhur në Shtime dhe këtu vjen me agjenda të caktuara për ta bërë zhurmuesin dhe për t’u ikur përgjegjësive”, ka thënë ai.
Vazhdimi i seancës së radhës pritet të mbahet gjatë ditëve në vazhdim.