Një defekt në sistemin e ngrohjes qendrore ka bërë që të mërkurën t’i vendoset përkohësisht dryni objektit të gjimnazit “Shaban Hashani” në Ferizaj. Sipas zyrtarëve komunalë, problemi në shkollën ku vijojnë mësimin afro një mijë e 100 nxënës nuk mund të sanohet deri në javën e ardhshme dhe se i gjithë procesi mësimor është planifikuar të realizohet nëpërmjet platformës “online”.
Objekti i gjimnazit edhe gjatë vitit të kaluar shkollor është përballur me defekte në sistemin e ngrohjes. Drejtoresha e kësaj shkolle, Hajrije Nebihi, ka thënë se komuna duhet ta bën një zgjidhje sa më të shpejtë në mënyrë që nxënësit të rikthehen në shkollë.
“Këshilli drejtues dhe task-forca kanë vendosur që mësimi përkohësisht të ndërpritet për shkak se ngrohja pjesërisht nuk funksionon. Në disa klasa, radiatorët kanë qenë të prishur dhe për këtë arsyeje e kemi ndërprerë deri në sanimin e gjendjes apo rregullimin. Për gjendjen aktuale janë të njoftuar edhe Drejtoria e Arsimit, menjëherë kanë marrë iniciativa, besoj se do të gjendet zgjidhje dhe do të shtohet kapaciteti i ngrohjes”, ka thënë Nebihi. Ajo tërheq vërejtjen se ky nuk është problemi i vetëm, meqë thotë se vetë objekti është i vjetër dhe i amortizuar.
Rreth kësaj çështjeje, të mërkurën kanë reaguar edhe këshilltarët komunalë nga radhët e opozitës të cilët e kanë vizituar objektin e shkollës.
Amir Rexhepi, nga LVV-ja, ka thënë se procesi mësimor “online” nuk mund të sjellë rezultate të kënaqshme, andaj komuna duhet të angazhohet me urgjencë që ta riparojë sistemin e ngrohjes qendrore në këtë objekt.
“Ne si anëtar të Kuvendit Komunal që nga mëngjesi kemi pranuar dhjetëra ankesa nga prindërit që për shkak të mungesës së ngrohjes është ndërprerë mësimi në shkollën e mesme të gjimnazit “Shaban Hashani” . Faji nuk është te nxënësi, po ashtu faji nuk është as te prindërit e as te mësimdhënësit, por faji qëndron te Drejtoria e Arsimit që nuk e ka sanuar këtë problem që po e përcjell këtë shkollë tash e sa kohë, sepse është problemi i njëjtë me ngrohjen e shkollës”, ka thënë Rexhepi.
Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Komunën e Ferizajt, ka thënë se janë duke bërë përpjekje për ta rregulluar ngrohjen e shkollës, megjithëse defektet e tilla po shkaktohen shkaku i objektit të vjetër.
“Që nga fillimi i mësimit të gjitha objektet patën nisur pa telashe, por fatkeqësisht është shfaqur një problem me ngrohje në shkollën “Shaban Hashani”. Kemi angazhuar operatorin ekonomik dhe po besojmë se brenda disa dite do ta shtojmë kapacitetin e ngrohjes qendrore në atë shkollë. Por vlen të theksohet se përkundër shtimit të kapaciteteve tona, ajo shkollë nuk mund të jetë në kushtet më të mira të mundshme për të zhvilluar procesin mësimor për shkak të një objekti të stërvjetruar”, ka thënë Llabjani. Ai ka bërë me dije se të gjithë nxënësit e kësaj shkolle që nga shtatori i ardhshëm do ta nisin mësimin në një objekt të ri dhe nuk do të ketë shqetësime të tilla.