Shqipëria është në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga autoritetet kosovare për të dërguar një listë me emra të mjekëve për t’u vaksinuar kundër COVID-19.
Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri i ka konfirmuar KOHËS nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim se posa që atyre t’u dërgohet lista, ata janë të gatshëm ta fillojnë vaksinimin.
“Ne jemi në pritje, porsa të na komunikohen listat jemi të gatshëm për fillimin e procesit”, kanë thënë nga ky institucion.
Por dërgimin e një liste me emrat e mjekëve nga Kosova, Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka thënë se duhet ta bëjnë drejtuesit e SHSKUK-së, me vullnetin e tyre për shkak të efekteve preventive që ka vaksina e “AstraZenecas”.
“Pra, varet edhe nga vullneti i personelit shëndetësor, meqë vaksina ka efekte preventive, por ligjërisht jo e detyrueshme, së paku deri tani. MSH-ja nuk e ka refuzuar këtë ndihmë simbolike, por është e kuptueshme që fokusi është që vaksinimi të fillojë sa më parë në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Tutje, zyrtarë të Ministrisë kanë thënë se ende nuk kanë pranuar shkresë zyrtare nga shteti shqiptar.
Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se gjatë së martës kanë marrë konfirmimin nga MSH-ja dhe se kanë përgatitur listën me personel shëndetësor. Ai nuk ka treguar se sa është numri dhe kur pritet që kjo listë t’u dërgohet autoriteteve të Shqipërisë.
Por, infermierja Shqipe Kadriu, e cila punon në QKUK, ka reaguar në rrjetet sociale duke treguar se ua kanë kërkuar emrat e atyre që dëshirojnë të vaksinohen në Kukës, por që, sipas saj, një gjë e tillë është injorancë.
“Unë po bëj përpjekje maksimale me dhënë më të mirën nga vetja për me kontribu me nder për vendin tim dhe popullin tim, dhe ju kaq keni mundësi me më shpërblye... Atëherë pasi ka kaluar orari me e dhënë emrin le të mbesë pa vaksinë, sepse nuk po ndahem nga populli dhe njerëzit e mi... Do të vazhdoj të kujdesem për vete dhe njerëzit që kam përreth deri sa mundem, deri në frymën e fundit... të dua pafundësisht kështu si je vendi im”, ka shkruar Kadriu në rrjetin social në Facebook.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemail Minxhozi, ka thënë se janë në pritje të një përgjigjeje zyrtare, derisa ka treguar arsyen se pse nuk mund të vaksinohen mjekët që shkojnë individualisht në Shqipëri.
“Jeni vënë në dijeni që ka pasur tentativa që disa mjekë kanë shkuar për t’u vaksinuar dhe në ditën e parë i është ofruar një apo dy personave mjekë të Kosovës, por më vonë ky proces është ndaluar për një arsye të thjeshtë, sepse ne kërkojmë që ky proces të kalojë në mënyrë administrative dhe autoritetet e Kosovës t’i përcaktojnë se cilët mjekë do ta marrin”, ka thënë ai në një prononcim për KOHËN gjatë së mërkurës.
Minxhozi tutje ka thënë se pala shqiptare është e gatshme t’i ofrojë në mënyrë të menjëhershme të gjithë mjekët kosovarë që janë në vijën e parë të frontit.
Në janar të këtij viti, kur Shqipëria ka pranuar dozat e para të vaksinës, kryeministri Edi Rama kishte premtuar se një sasi simbolike e dozave do t’i mundësohet t’i shfrytëzojë edhe Kosova për vaksinimin e mjekëve që punojnë me pacientë të infektuar me COVID-19.
Rama, ditë më parë pas pranimit të dozave të vaksinës së kompanisë “Astrazeneca”, kishte treguar që mjekët nga Kosova mund të vaksinohen në Kukës. Kosova ende nuk ka pranuar asnjë dozë të vaksinës anti-COVID, derisa është thënë nga krerët institucionalë se dozat e para pritet të vijnë deri në fund të muajit mars.