Arbëri

MPB-ja hesht për “rikthimin” e MUP-it në veri

Institucionet e Kosovës i janë përgjigjur me heshtje raportimit për rikthimin e MUP-it të Serbisë në komunat e veriut. E, analistë politikë thonë se shteti nuk duhet dorëzuar para një mësymjeje të tillë. Ata bënë thirrje që të funksionalizohen edhe institucionet lokale, të dala nga zgjedhjet e 23 prillit

Institucionet e Kosovës nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim, një ditë pasi është raportuar se Serbia i ka rihapur në komunat e veriut zyrat e Ministrisë së saj të Punëve të Brendshme (MUP).

Sipas Radios Evropa e Lirë, selia kryesore e MUP-it është afër shkollës fillore “Vuk Karaxhiq” në Zveçan, ndërsa të tjerat në Mitrovicë të Veriut, Zubin-Potok e Leposaviq.

Analistët politikë që veprojnë në Mitrovicë thonë se Beogradi zyrtar ka ndërmarrë këtë veprim, për ta pamundësuar funksionimin e institucioneve komunale me udhëheqës shqiptarë të zgjedhur nga procesi elektoral i 23 prillit. Ata kanë mbetur pa e nisur mandatin edhe dy javë pas certifikimit të rezultateve për shkak të paralajmërimeve për rezistencë që kanë dhënë Lista Serbe e Beogradi zyrtar.

Profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu, ka thënë se duhet të ketë reagim të prerë institucional dhe të mos lejohet që Serbia të vendosë kontroll mbi veriun. Ai ka bërë thirrje që të përmbyllet edhe procesi zgjedhor, sa më parë që të jetë e mundur, për të mos lejuar që të cenohet rendi kushtetues në vend.

“Besoj më tepër që këto janë në shërbim të frikësimit të institucioneve të Kosovës për të mos i vazhduar më tutje hapat të cilët janë duke u ndërmarrë tani për ushtrimin e rendit simbolik rreth asambleve komunale, në gjykata dhe prokurori. Por, institucionet e Kosovës nuk duhet të tremben”, i ka thënë KOHËS Spahiu.

Në Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS, në lidhje me rikthimin e strukturave të sigurisë së Serbisë në veri.

E zyrtarë të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, i kanë thënë REL-it se nuk është vërejtur ndonjë ndryshim në veri sa u përket dyshimeve për instalim të policisë serbe.

“Gjatë patrullimeve tona të rregullta, nuk kemi vërejtur ndonjë ndryshim në terren”, është thënë në përgjigjen e EULEX-it.

Ndërkaq, Miodrag Miliçeviq, aktivist i organizatës joqeveritare “AKTIV”, që vepron në veri, ka shprehur besimin se në këtë pjesë nuk do të rikthehet MUP-i. Sipas tij, Beogradi zyrtar nuk do ta bënte një lëvizje të tillë dramatike, meqë konsideron se nuk do t’i konvenonte asnjërës palë të përfshirë në dialog.

“Duke pasur parasysh se negociatat janë në vazhdim e sipër dhe natyrisht, marrëveshja që është arritur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për integrimin e forcave policore, është shumë e vështirë të besohet se Beogradi në këtë moment do të shkonte me një lëvizje të tillë, duke instaluar përsëri strukturat policore në veri të Kosovës. Duke pasur parasysh që kemi një forcë të rregullt policie dhe në dritën e Marrëveshjes së Brukselit, nuk ka gjasa që kjo të ndodhë”, i ka thënë KOHËS Miliçeviq.

Në situatën e krijuar në veri, ku po shpallen skenarë që mund ta destabilizojnë këtë pjesë të Kosovës, çelësin e zgjidhjes, Miliçeviq thotë se e ka Bashkimi Evropian. Sipas tij, për situatën në terren BE-ja duhet t’i shtyjë palët që sa më shpejt të gjejnë pajtim për ta sjellë stabilitetin e domosdoshëm.

“Bashkimi Evropian së bashku me aktorët e tjerë ndërkombëtarë ka rolin kyç tani në këtë proces, duke i rikthyer të dyja palët në tavolinë dhe përmes dialogut politik të kërkohet zgjidhje, që definitivisht jo vetëm që duhet të jetë e pranuar nga të dyja palët, por e realizueshme dhe intensive për të sjellë stabilitet – stabilitetin shumë të nevojshëm në pjesën veriore të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Mirëpo, për në këtë pikë nuk është pajtuar Spahiu. Ai ka thënë se Kosova duhet të jetë e aftë të veprojë vetë pa pritur gjithmonë një qëndrim a reagim ndërkombëtar.

Sipas tij, e vetmja e arritur e Qeverisë aktuale është shtrirja e rendit në veri, gjë të cilën ai beson se kryeministri Albin Kurti nuk e lejon që të marrë kah tjetër.

“Nuk duhet që Kosova vazhdimisht të presë ndihmën e të tjerëve. Duhet të merret vetë me problemin. Qeveria e Albin Kurtit është koncentruar kryesisht në veri për të arritur këto suksese që i ka arritur atje. Dhe, janë sukseset e vetme fatkeqësisht të Qeverisë së tij dhe sigurisht që jam i bindur që ai nuk do të lejojë që të zhbëhen këto suksese”, ka theksuar ai.

MUP-i mbylli zyrat në veri, në bazë të marrëveshjes së 2013-s dhe pjesëtarët e saj u rekrutuan në Policinë e Kosovës. Por, fundvitin e shkuar, policët serbë të komunave të veriut u prinë resorëve të tjerë, për t’i braktisur institucionet, në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë për t’i konvertuar targat ilegale serbe në ato RKS.