Arbëri

(Mos)Pastrimi i një segmenti rrugor përplas Komunën e Prishtinës me Ministrinë e Infrastrukturës

Komuna e Prishtines

Rruga "Mon Balaj" mbrëmë

Pastrimi i segmentit të rrugës “Mon Balaj” nga bora dhe akulli, është bërë temë për përplasje mes Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Temperaturat e ulëta dhe reshjet e borës gjatë së dielës kanë bërë që qarkullimi në këtë segment të vështirësohet. E për këtë, Komuna e Prishtinës fajtore e ka lënë MMPHI-n, që sipas saj, është nën përgjegjësinë e kësaj të fundit. Por, ka theksuar se pavarësisht ndarjes së kompetencave, Komuna ka vepruar për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

“Segmenti i rrugës ‘Mon Balaj’, në Kodrën e Trimave, është në përgjegjësi të Ministrisë së Infrastrukturës. Megjithatë, përballë situatës së krijuar, Komuna e Prishtinës ka vepruar menjëherë dhe me përgjegjësi, sepse siguria e qytetarëve është prioritet absolut. Pavarësisht ndarjes së kompetencave, Komuna ka intervenuar mbrëmë dy herë në këtë segment rrugor, duke vepruar me vendosmëri për të parandaluar rrezikun dhe për të garantuar sigurinë në qarkullim”, thuhet në reagimin e Komunës.

S’ka munguar përgjigja e Ministrisë.

Zëvendësministri në detyrë i MMPH-së, Hysen Durmishi, ka mohuar se ky segment është nën përgjegjësinë e tyre.

Postimi i Hysen Durmishit në Facebook

Ai në Facebook ka shkruar se kjo pjesë është nën përgjegjësinë e Komunës së Prishtinës, duke shtuar se, “ajo po ashtu ka ndërhyrë në këtë pjesë të rrugës duke vendosur pengesa”.

“Siç e kemi theksuar edhe më parë, jemi të përgatitur dhe plotësisht të përgjegjshëm për mirëmbajtjen e rrugëve që janë në kompetencë të Ministrisë gjatë sezonit dimëror. Mbrëmë, me fillimin e reshjeve të borës, ekipet tona janë aktivizuar menjëherë dhe kanë hedhur kripë në të gjitha rrugët nën përgjegjësinë tonë, me qëllim të garantimit të qarkullimit të sigurt dhe të papenguar.
Kompetenca e MMPHI-së përfshin segmentin rrugor nga Bernica në drejtim të Komunës së Podujevës, segment nga i cili edhe ka filluar realizimi i projektit të rrugës Prishtinë–Podujevë”, thuhet në statusin e tij.

Temperaturat e ulëta dhe reshjet e borës kanë shkaktuar telashe për veturat në këtë segment rrugor.

VIDEO e postuar nga Komuna e Prishtinës bashkë me njoftimin: