Arbëri

Mosbashkëpunimi mes institucioneve zvarrit përgatitjet për Lojërat Mesdhetare

Lojërat Mesdhetare "Prishtina 2030"

Përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030, janë shoqëruar nga shumë barriera që institucionet i kanë vënë njëra-tjetrës. Ministria e Sportit është ankuar në komuna e në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa Komuna e Prizrenit ka akuzuar Ministrinë për burokraci. E, përfaqësues investitorësh thonë se organizimi i një ngjarjeje kaq të madhe duhet të shfrytëzohet për njohje të reja e tërheqje investimesh

Bllokada politike e institucionale ka zvarritur përgatitjen e Kosovës për Lojërat mesdhetare 2030, kanë thënë në Ministrinë e Sportit, zyrtarë të së cilës u ankuan edhe për ngadalësim të projekteve nga disa komuna.

Sekretari i Ministrisë, Bislim Bislimi, thotë se disa nga komunat nuk kanë qenë bashkëpunuese dhe në mesin e tyre përmend atë të Prizrenit.

“Aktualisht jemi të pakënaqur me komunat që po i zvarrisin projektet në miratimin e lejeve ndërtimore dhe përfundimin e procedurave administrative. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Komunën e Prizrenit, ku tashmë katër muaj kontrata është nënshkruar për ndërtimin e stadiumit për ‘Përparim Thaçi’... dhe ne mund të vonohemi në qoftë se institucionet vazhdojnë të mos përmbushin detyrat e tyre për çfarëdo arsye që ata mund t’i konsiderojnë e t’i kalkulojnë e t’i analizojnë në pikëpamjen e tyre”, ka thënë Bislimi.

Por, për këtë zvarritje kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, thotë se përgjegjësinë e mban Ministria me procedurat e saj burokratike.

“Rreth lejes për stadium, aty ka pasë probleme të natyrës pronësore-juridike. Është dashur disa parcela të bashkohen në mënyrë që të krijohen parakushte ligjore për t’ia dhënë lejen për ta ndërtuar stadiumin... Ne jemi bashkëpunues, bile, bile, mezi presim që për sport me bashkëpunu, por Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sportit është pak burokratike, e ngadalshme dhe mezi presin t’i qesin faj dikujt tjetër”, ka thënë Totaj.

Pos problemeve me Komunat, në Ministri ankohen edhe në Gjykatën Kushtetuese, për bllokimin për më shumë se një vit të Ligjit për Lojërat Mesdhetare, i cili sipas sekretarit, do të mundësonte kontraktimin e projekteve në vlerë edhe më të madhe sesa 95 milionë euro, që u lidhën më 2025.

“Ai ligj është kyç, është i rëndësisë qendrore për të kaluar dinamikën e zakonshme të afateve ligjore që janë të aplikueshme në Kosovë. Të mos harrojmë që për momentin, përgatitjet për një investim kaq masiv në infrastrukturën sportive me legjislacionin aktual të prokurimit publik dhe të menaxhimit të financave publike ka shumë rrezik që mund të prolongohen ose mund të vihemi në vonesa”, ka thënë sekretari Bislimi.

E, presidenti i Komitetit Olimpik, Ismet Krasniqi vlerëson se, edhe pse ligji u bllokua, u punua në infrastrukturë, por ai shprehu shqetësim që ende nuk ka nisur stadiumi kombëtar, ku do të bëhet hapja dhe mbyllja solemne e lojërave.

“Nuk mund të them që nuk është punuar. Është punuar, janë renovuar shumë objekte, të cilat janë ekzistuese, që janë shumë të rëndësishme, janë bërë disa plane dhe janë caktuar disa vende për salla të reja... Mirëpo çfarë është kryesorja për neve është që sa më shpejt të fillojë edhe stadiumi kombëtar”, ka thënë Krasniqi.

Në Ministri thanë se mekanizmat institucionalë do ta përdorin këtë ngjarje për promovimin ndërkombëtar të shtetit, si në kulturë sportive ashtu edhe në diplomaci.

Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani, thotë se organizimi i lojërave mesdhetare përbën mundësi që nuk duhet humbur.

“Duhet të shfrytëzohet si mundësi e mirë veçanërisht që i referoheni vendeve që gravitojnë në këtë hapësirë mediteriane, të Mesdheut, e ku ka vende që Kosovën e lirë nuk e njohin. Duhet të shfrytëzohet për shumë arsye, qoftë në aspektin ekonomik, politik dhe në ndërtimin e një imazhi i cili, shpeshherë me vetëdije apo pa vetëdijen tonë, nuk është që kemi pasur mundësi për ta çuar deri në fund atë imazh që përfaqësojmë”, ka thënë Ujkani.

Prishtina do të jetë organizatore e Lojërave Mesdhetare 2030, ku parashihet të marrin pjesë 26 shtete nga tri kontinente.

Para Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, Kosova ka paraqitur një plan të gjerë investimesh infrastrukturore për të garantuar standarde ndërkombëtare dhe kushte optimale për atletët dhe spektatorët. Sipas Ministrisë së Financave, janë premtuar mbi 250 milionë euro investime publike në infrastrukturë sportive, që përfshijnë ndërtimin dhe rinovimin e stadiumeve, pishinave, palestrave dhe objekteve të tjera të nevojshme.

Projekti kryesor është ndërtimi i Stadiumit Nacional. E, intervenime janë paraparë edhe në shumë stadiume ekzistuese.

Po ashtu, është paraparë edhe Kompleks Olimpik me pishinë, si dhe një kompleks i ri tenisi dhe fusha për sporte të tjera specifike.

Investimet përfshijnë edhe rikonstruktimin e 10 objekteve ekzistuese, përfshirë Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, me synim modernizimi.

Është paraparë edhe krijimi i qendrave të stërvitjes dhe objekteve rajonale, me qëllimin për të shpërndarë aktivitetet gjithandej Kosovës.