Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka vazhduar me avazin e vjetër të licencimit të hidrocentraleve. Ani se me të ardhur në pushtet ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, themeloi një grup punues për shqyrtimin e procesit të licencimit të HEC-ve dhe konstatoi një sërë shkeljesh, ato mbetën në sirtarë. Së fundmi, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është në proces të lëshimit të lejes ujore, siç mëson KOHA pret vetëm nënshkrimin e zyrtarëve të Ministrisë për t’u bërë e plotfuqishme
Për prodhimin e më pak se një megavati energji në orë, mbi 2 kilometra të lumit Morava e Binçës kanë përfunduar në gypa.
Rrjedha e natyrshme e tij është penguar nga ndërtimi i një hidrocentrali në shtrat të tij nga kompania “Eko Energji”, duke pakësuar ujin dhe degraduar natyrën.
Ani se gjatë dimrit reshjet e shiut dhe të borës janë më të mëdha dhe ka sasi më të madhe të ujit në lumë, pjesa nga vepra marrëse e ujit e deri tek hidrocentrali ka sasi të vogël uji. E gjatë verës ajo pjesë pothuajse thahet.
Ndërtimi i hidrocentralit është bërë në kundërshtim me ligjet dhe rregullat për ndërtimin e tij. Por ai ende operon pa pasur leje ujore, gjë që është në kundërshtim me Ligjin për Ujëra.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) është në proces të lëshimit të lejes ujore, dhe siç mëson KOHA pret vetëm nënshkrimin e zyrtarëve të Ministrisë për t’u bërë e plotfuqishme.
Banorët e fshatit Shushtë, në mes të të cilit kalon lumi, thonë se nga fillimi i punimeve në hidrocentral është bërë degradimi i natyrës.
Hamit Zeneli është administrator i fshatit dhe thotë se problemet më të shumta janë gjatë verës.
“Gjatë verës thuajse merret 98 për qind e ujit nëpërmjet gypit. Sidomos për shtazët është shumë keq gjatë verës. Kafshët e egra nuk kanë ujë me pi këtu”, ka thënë ai.
Me ardhjen në pushtet, ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, ka thënë se asnjë hidrocentral nuk do të lejohet të punojë derisa nuk do t’i përmbushë kriteret mjedisore. Teksa e kishte vlerësuar shqetësuese gjendjen e lumenjve në të cilët operojnë hidrocentralet, ai kishte paralajmëruar rishqyrtim të të gjitha lejeve dhe pëlqimeve të lëshuara vite më parë për hidrocentralet.
“Do të shqyrtojmë edhe bashkë me zyrtarët e me strukturat e Ministrisë që kanë qenë të përfshira në gjithë këtë proces dhe në diskutim me to, nëse do të dalë nevoja e rishqyrtimit, nëse vlerësohet që ka degradim, atëherë monitorimi është i nevojshëm para se të veprojmë tutje”, ka thënë Aliu gjatë një vizite në Brezovicë.
Por, përveçqë nuk e bëri këtë, ai nuk i mori për bazë as rekomandimet e grupit punues që vetë e themeloi, e i cili konstatoi një sërë shkeljesh të ligjeve dhe akteve nënligjore për mënyrën e licencimit dhe operimit të hidrocentraleve.
Ky grup ka konstatuar se hidrocentrali “Binça” operon pa leje ujore në kundërshtim me nenin 97, paragrafi 2, nënparagrafi 2.4 të Ligjit për Ujërat e Kosovës, e po kështu edhe pa leje mjedisore, në kundërshtim me nenin 31 të Ligjit për Mbrojtjen e Mjedisit.
Grupi ka konstatuar se ndërtesa e hidrocentralit “Binça” e kompanisë “Eko Energjia” është ndërtuar në pronë ujore në afërsi të drejtpërdrejtë të lumit dhe është në kundërshtim me Ligjin për Ujëra, i cili përcakton distancën prej minimum 30 metra për ndërtimin e objekteve nga vija e plotë.
Edhe struktura e betonit në veprat ujëmarrëse, sipas grupit, është në mospërputhje me peizazhin.
KOHA ka provuar që të kontaktojë me kompaninë, në numrin e telefonit që e ka në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, por ai nuk ka qenë i qasshëm.
Ka më shumë se një javë që nuk kanë kthyer përgjigje as në Ministri lidhur me lëshimin e licencave të reja ujore.
E banorët thonë se edhe në takimi që është mbajtur kur u lejua ndërtimi i hidrocentralit, ishin shumë pak njerëz.
“Është mbajtur një takim me shumë pak njerëz, por është thënë se nuk do të dëmtohen as natyra, as ambienti, por ka ndodhur e kundërta”, ka thënë administratori i fshatit Shushtë, Hamit Zeneli.
Afrim Lajçi, këshilltar në grupin ndërministror për ujëra, i cili ka qenë pjesë e grupit punues për vlerësimin e ligjshmërisë mbi bazën e të cilave janë ndërtuar hidrocentralet, ka thënë se grupi kishte konstatuar një numër të madh të shkeljeve.
Sipas tij, grupi ka rekomanduar që të bëhet një moratorium në dhënien e lejeve për ndërtimin e HEC-ve të reja.
“Rekomandimi i grupit punues ka qenë që të bëhet moratorium derisa të kompletohet legjislacioni për koncesionet dhe derisa nuk kompletohen dokumentet planifikuese mbi bazën e të cilave këto hidrocentrale do të lëshoheshin në përputhje me ligjin dhe në përputhje me dokumentacionin planifikues”, ka thënë Lajçi.
Sipas tij, nuk ka informacione që këto rekomandime janë zbatuar.
Edhe Ali Sefaj, i cili ishte pjesë e grupit punues për shqyrtimin e procedurave të licencimit të HEC-ve, thotë se institucionet duhet të marrin masa që të zbatojnë rekomandimet.
“T’i zbatojë rekomandimet, ose të marrë vendim që të legalizojë procesin duke u arsyetuar edhe në një format tjetër, qoftë edhe mbi interesin energjetik që ka, mbi koston financiare që mund t’i kushtojë vendit duke i shfuqizuar të gjitha këto akte të cilat kanë mundësuar të ndërtohen këto hidrocentrale, por për mua është akoma e habitshme se si ka mundësi të legalizojnë KELKO-sin që është në një zonë të veçantë të mbrojtur dhe pastaj në zonë të veçantë të mbrojtur te Manastiri i Deçanit, që në atë hapësirë ndalohen centralet elektrike”, ka thënë ai.
Sipas Sefajt, raporti konstaton se ndërtimi i hidrocentraleve është bërë duke shkelur rregullativën ligjore në fuqi.
“Është ndërtuar në afërsi të brigjeve të lumit, në kundërshtim me ligjin, e i cili kërkon që të jet së mbi 30 metra, për arsye se llogaritet ajo hapësira e nevojshme që duhet, edhe qoftë të disa mekanizmave shtesë”, ka theksuar ai.
Sefaj shton se në dhënien e së drejtës ujore është bërë pa koncesion dhe kjo më nuk krijon asnjë mundësi për të legalizuar këtë format.
“Ne si grup punues në atë kohë i kemi dhënë dy mundësi: e para ka qenë që të shfuqizohen të gjitha aktet të cilat janë lëshuar në kundërshtim me Ligjin e Ujërave; dhe opsioni i dytë që të shqyrtohen të gjitha aktet dhe të shikohet secila mundësi, po flas ato që janë jashtë zonave të mbrojtura, të rinegociohet dhe të gjendet një zgjidhje rregullative, edhe për legjislacionin, edhe për komunitetin që do ta plotësonte çështjen e koncesionit dhe do ta ridefinonte sa do të jetë jetëgjatësia, dhe kështu me radhë”, ka theksuar Sefaj.
Sipas tij, megjithëse ka pasur shkelje, është e habitshme se si raporti ka përfunduar në sirtar të ministrit.
“Kemi pasur një lumë shkeljesh, por për koincidencë dhe për habinë time, prej sa ka përfunduar ky raport, ka mbetur në sirtar dhe tani bëhen dy padrejtësi: E para iu bëhet padrejtësi qytetarëve që nuk është sjellë dhe operatorëve ekonomikë që kanë investuar miliona, pasi që ato tani janë akt i kryer, janë në shtratin e lumenjve dhe i kanë krijuar pasojat dhe as nuk i kanë sanuar dëmet e shkaktuara, e një pjesë as nuk ka operuar. I kemi bërë dy veprime të këqija në të njëjtën kohë”, ka thënë Sefaj.
Ai thekson se, në rast se janë pajisur në mënyrë të kundërligjshme me pëlqim ujor e leje ujore, shteti do të duhej që t’i revokonte ato, ose t’i përcjellë operatorët ekonomikë në vazhdimësi që t’i plotësojnë kushtet formale teknike që kërkohen në kushtet ujore.
“Ti nuk ke të drejtë, sepse është e pamundshme dhe e pandershme që t’ua ndalosh marrjen e lejes ujore dhe mjedisore. Në rrethana normale do të duhej të revokoheshin të gjitha lejet dhe pëlqimet që janë dhënë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Sefaj.
Ndërtimi i hidrocentraleve është përcjellë me shkelje të shumta dhe tejkalime të shumta ligjore, duke dëmtuar rrjedhën e lumenjve, e shpeshherë objektet e hidrocentraleve janë ndërtuar në prona publike.
Për tri hidrocentralet e ndërtuara nga kompania KELKOS në Deçan dhe ato të ndërtuara nga kompania MATKOS në Shtërpcë, ka masa pezulluese nga gjykatat dhe janë jashtë funksionit, pas padive të ngritura nga banorët dhe shoqëria civile, për shkeljet ligjore dhe degradimin e natyrës në atë pjesë.
KOHA ka raportuar disa herë se si ato kishin vepruar në mënyrë të kundërligjshme, pasi pa u pajisur me leje mjedisore janë lëshuar në operim. Kjo ishte bërë edhe me leje nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, e cila përmes një rregulloreje të kundërligjshme kishte lëshuar leje të përkohshme operimi për to, duke ua vazhduar jo vetëm për 1 vit, siç parashihte rregullorja, por edhe më gjatë.