Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviq, ka kërkuar falje ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Gjuro Macut, pasi deklarata e saj për “spastrimin etnik të Kosovës” shkaktoi reagime brenda dhe jashtë vendit.
Paunoviq u arsyetua duke thënë se deklarata e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit dhe se nga intervista ishte shkëputur vetëm një pjesë prej shtatë sekondash, duke u shndërruar, sipas saj, në një çështje politike. Megjithatë, në intervistën e transmetuar në “Kurir TV” para katër ditësh, ajo dëgjohet qartë tek e thotë deklaratën se “po të ishte në vend të ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”.
“Kjo ishte historia ime, jo një deklaratë politike. Është e pakëndshme të më duhet të shpjegoj se kjo nuk është politika e presidentit apo e qeverisë”, ka thënë ajo në një intervistë për “Informer TV”.
Ministrja serbe ka pretenduar e kishte fjalën për largimin e atyre që “nuk ndiheshin pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë”, ndërsa personat që do të zgjidhnin “veprime terroriste” do të trajtoheshin si terroristë.
Ajo falënderoi ata që e mbështetën pas kritikave, veçanërisht Partinë Socialiste të Serbisë (SPS), pjesë e së cilës është. Por kritikoi edhe opozitën dhe mediat serbe për reagimet ndaj deklaratës së saj, duke i akuzuar se e shfrytëzuan rastin për qëllime politike.
Paunoviq e quajti paradoks edhe vendimin e Kosovës për ta shpallur “non grata”, duke thënë se ndalimi i përhershëm i hyrjes në Kosovë është vendosur nga, siç i quajti ajo, “institucionet e përkohshme të Kosovës”. Ajo shtoi se prej katër vjetësh nuk ka mundur të hyjë në Kosovë.
Deklarata e saj u dënua nga organizata të shoqërisë civile dhe nga një pjesë e opozitës në Serbi, të cilat kërkuan shkarkimin e menjëhershëm të saj nga detyra.
Edhe
Sveçla kërkon reagim konkret e më aktiv të Shqipërisë kundër deklaratës së ministres serbe
Edhe Bashkimi Evropian reagoi përmes zëdhënëses së Komisionit Evropian, Anita Hipper, e cila ka thënë se në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon ose promovon spastrimin etnik.
Për deklaratën reagoi edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili theksoi se ajo nuk përfaqëson politikën e presidencës apo të Qeverisë së Serbisë.
“Politika jonë bazohet në dialog, kompromis, paqe dhe stabilitet, e kurrë në spastrim etnik. Ky është qëndrimi ynë dhe duhet të jetë krejtësisht i qartë”, deklaroi Vuçiq.
-
Kandiq: Deklarata e Paunoviqit tregon se ideologjia e spastrimit etnik nuk është braktisur
-
Vuçiq: Deklarata e Paunoviqit s’e pasqyron vullnetin tim dhe politikën e qeverisë serbe
-
Deklarata fashiste e ministres serbe dënohet nga BE-ja, Kosova dhe një pjesë e opozitës në Serbi
-
Daçiqi i del në mbrojtje ministres serbe për deklaratën fashiste ndaj Kosovës