Arbëri

Ministritë, joligjërisht plotësojnë pozitat e lira me zëvendës

Shtatë agjenci që veprojnë në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë janë pa udhëheqës. Ato drejtohen aktualisht nga ushtrues detyre, pasi kjo ministri dështoi në zgjedhjen e udhëheqësve. Zëvendësimi i tyre është bërë duke iu referuar dispozitave të gabuara ligjore. E ligji aktual për zyrtarët publikë nuk e rregullon çështjen e ushtruesve të detyrës

Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, për afro dy vjet ka dështuar t’i zgjedhë udhëheqësit për shtatë agjenci të pavarura që veprojnë në kuadër të saj.

Këto pozita mbahen nga ushtrues të detyrës, megjithëse ligji për zyrtarët publik, që hyri në fuqi në gusht të 2019-s, përbënte shkak ligjor për përfundimin e marrëdhënieve të punës me ushtrues të përkohshëm të detyrës.

Por, kjo Ministri, sikurse disa ministri të tjera dhe Agjenci të pavarura, duke u thirrur në dispozitat e Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të pavarura, i plotësuan këto pozita të lira me zëvendësues. E Këshilli për Shërbyes Civilë pati konstatuar se ligji është zbatuar gabimisht, pasi dispozita nuk u referohet pozitave të lira, por vetëm atyre që janë plotësuar, por që nëpunësit civilë për shkaqe të caktuara nuk mund të ushtrojnë detyrën e tyre.

Naser Shamolli, hulumtues i lartë në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë se mbulimi i pozitave me ushtrues detyre është problematik në gjithë Qeverinë.

“Aktualisht pothuajse në të gjitha pozitat e nivelit të lartë drejtues, pozita e sekretarit të përgjithshëm, drejtorit të përgjithshëm, mbulohen me ushtrues të detyrës”, ka thënë ai.

Sipas tij, ka pozita që ka më shumë se dy vjet që udhëhiqen me ushtrues detyre dhe se kjo paraqet problem më vete dhe nuk është në pajtim me ligjin pasi që nuk shihet si e tillë.

Nga MINT-i konfirmuan se tetë pozita të nivelit të lartë drejtues janë me zëvendësime.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është fuzionuar nga dy Ministri në një dhe jemi në fazën e ristrukturimit dhe sistematizimit të zyrtarëve, për këtë arsye disa pozita janë plotësuar me zëvendësues deri në përfundimin e ristrukturimit”, thuhet në përgjigjen e MINT-it.

Krahas agjencive, kjo ministri ka telashe edhe në përzgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm.

Pas dështimit të konkursit të brendshëm, në mungesë të tre kandidatëve që i plotësojnë kriteret, një konkurs i jashtëm është shpallur më 13 dhjetor.

Në mungesë të kandidatëve brenda nëpunësve civilë, dështuan edhe konkurse për udhëheqës të agjencive që veprojnë në kuadër të MINT-it. Në këtë ministri nuk dhanë sqarime rreth çështjes.

Por, mosplotësimin e këtyre pozitave, Shamolli e lidh me nivelin e përafërt të tyre me pozitat politike.

“Është goxha problem serioz kjo çështje, për faktin që niveli i këtyre pozitave është i tillë dhe është i afërt më nivelin politik dhe për këtë shkak, ndoshta hezitimi është në këtë aspekt”, ka theksuar ai.

Ai i ka përmendur edhe ndryshimet ligjore që janë bërë në Ligjin për zyrtarët publikë, që u miratuan në fund të vitit të kaluar, ani se ky ligj ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese.

“Është alarm në të njëjtën kohë për Qeverinë që si këto pozita duhet të punohet dhe të motivohen njerëzit si nga brenda ashtu edhe nga jashtë të aplikojnë në mënyrë që në asnjë moment pozitat menaxheriale të mos jenë me ushtrues detyre”, ka pohuar Shamolli.

Rreth 80 për qind e pozitave të larta udhëheqëse në Qeveri, në Agjenci dhe në rregullator aktualisht udhëhiqen me ushtrues detyre.

Sipas një hulumtimi nga Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), prej 58 pozitave të larta drejtuese, 47 prej tyre janë me ushtrues detyre.

Nga 40 agjenci të pavarura ekzekutive dhe rregullatorë, mbi 30 prej tyre drejtohen me ushtrues detyre.