Nga 73 ankesat e pacientëve adresuar Ministrisë së Shëndetësisë e që janë trajtuar gjatë 2025-tës, veç 14 kanë rezultuar me masa. Raporti i ankesave për 2025-tën ka evidentuar rënie të numrit të ankesave krahasuar me një vit më parë. E në Shoqatën për të Drejta të Pacientëve këtë rënie e kanë ndërlidhur me humbjen e besimit të qytetarëve në institucione shëndetësore
Për 20 për qind ka shënuar rënie numri i ankesave që pacientët i raportuan në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë vitit të shkuar, krahasuar me një vit më parë.
Bazuar në raportin vjetor të ankesave, nga gjithsej 164 sosh dy vjet më parë, më 2025 janë trajtuar 130.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas këtij raporti, 57 ankesa nuk kanë marrë përgjigje nga institucioni, pasi janë në proces të shqyrtimit.
Në raportin e publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, adresimet e qytetarëve u përkasin natyrave të ndryshme, porse ato nuk janë specifikuar sipas numrit.
“Ndër ankesat më të shpeshta kanë qenë ato që lidhen me sjelljen joprofesionale të stafit shëndetësor ndaj pacientëve, duke përfshirë mungesën e komunikimit të duhur dhe trajtimin jo të përshtatshëm gjatë ofrimit të shërbimeve. Po ashtu, një numër i konsiderueshëm i ankesave kanë pasur të bëjnë me mungesën e stafit në vendin e punës, gjë që ka ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e rregullt të shërbimeve dhe në cilësinë e kujdesit të ofruar”, thuhet në raport. “Një tjetër shqetësim i shpeshtë i qytetarëve ka qenë pritja e zgjatur për marrjen e shërbimeve shëndetësore, e cila në disa raste ka shkaktuar pakënaqësi dhe vështirësi për pacientët”.
Për institucione shëndetësore publike janë adresuar 82 ankesa e për ato private 48.
Bazuar në raport, vetëm për 14 ankesa janë marrë masa.
“Si masë fillestare është dhënë vërejtje me gojë, gjithsej katër (4), me qëllim të tërheqjes së vëmendjes së stafit për përmirësimin e sjelljes dhe respektimin e standardeve profesionale gjatë kryerjes së detyrave të punës. Po ashtu, një (1) rast është referuar për trajtim në Komisionin Disiplinor, me qëllim të shqyrtimit më të detajuar dhe marrjes së vendimeve përkatëse sipas procedurave institucionale. Në gjashtë (6) raste janë ndërmarrë veprime në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, duke respektuar rregulloret dhe procedurat e përcaktuara për trajtimin e shkeljeve të mundshme”, është bërë e ditur në raport. “Për më tepër, në një (1) rast është shqiptuar masë ndëshkuese, ndërsa në dy (2) raste është vendosur masë me gjobë, si forma disiplinore që synojnë rritjen e përgjegjësisë dhe respektimin e rregullave në vendin e punës”.
Besim Kodra, anëtar i Shoqatës për të Drejta të Pacientëve, thotë se rënia e numrit të ankesave është ndikuar nga mungesa e përgjigjes së institucioneve përgjegjëse, gjë që, sipas tij, ka çuar në humbjen e besimit të qytetarëve në sistemin shëndetësor.
“Nëse e marrim një logjikë të përgjithshme me shumë gjasë mund të jetë humbja e besimit të njerëzve se përmes ankesës mund t’i zgjidhin problemet që kanë. E sa më pak njerëz besojnë se ankesa e tyre i zgjidh problemet që kanë, aq më shumë ata kanë tendenca me e marrë drejtësinë në duar të veta dhe me u konfrontu me stafin. Kjo nuk është diçka e mirë”, ka thënë Gashi. “Duhet me qenë politikë e Ministrisë së Shëndetësisë me i nxitë njerëzit me raportu sepse vetëm raportimi i pakënaqësive i përmirëson institucionet shëndetësore”.
Bazuar në një raport të Avokatit të Popullit për ndikimin e korrupsionit në të drejtat e njeriut, 74 për qind e personave e kanë perceptuar korrupsion dhënien e mitos mjekëve për të marrë kujdes të veçantë shëndetësor.