Arbëri

Ministria e Jashtme: Serbia t’i japë fund praktikës të përdorimit të drejtësisë për presion politik

Objekti i Ministrisë së Jashtme

Objekti i Ministrisë së Jashtme

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka thënë se duhet të marrë fund praktika e Serbisë që po e përdor sistemin e drejtësisë për presion politik, pas lirimit të ish-policit Arbnor Spahiu.

Spahiu u lirua të premten nga paraburgimi në Serbi, ku mbahej nën akuza për “vrasje të rëndë” lidhur me ngjarjet në Banjskë të vitit 2023. Ai qe arrestuar në pikën kufitare mes Serbisë e Hungarisë në qershor të këtij viti.

MPJD-ja ka theksuar se akuzat e ngritura ndaj Spahiut ishin të motivuara politikisht dhe të pabazuara në prova, ndërsa “paraburgimi i tij i zgjatur ka shkelur të drejtën për proces të rregullt dhe trajtim të drejtë”.

Ministria vlerëson se lirimi i tij konfirmon qartazi se pretendimet e Serbisë nuk qëndronin dhe përdorimi i sistemit të drejtësisë për presion politik ndaj qytetarëve kosovarë është një praktikë që duhet të marrë fund.

“Ministria falënderon institucionet vendore dhe ndërkombëtare që kanë kontribuar në trajtimin e drejtë të rastit dhe rithekson përkushtimin e saj për mbrojtjen e çdo qytetari të Kosovës, kudo që ndodhet”, thuhet në njoftim.