Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ministri Hoti e mban përgjegjëse QPS-në në Lipjan për 5-vjeçarin e keqtrajtuar nga prindërit

Andin Hoti - pesevjecar

Qendra për Punë Sociale në Lipjan është identifikuar nga ministri për Familje, Andin Hoti, si institucion që duhet mbajtur përgjegjës pas keqtrajtimit që prindërit i bënë një 5-vjeçari nga Janjeva, duke i shkaktuar lëndime të rënda. Sipas tij, kishte urdhër gjyqësor që familja të monitorohej

Ministri për Familje, Andin Hoti, ka bërë përgjegjëse Qendrën për Punë Sociale në Lipjan dhe institucione të tjera, pas dhunës së përsëritur të dy prindërve nga Janjeva ndaj fëmijës së tyre 5-vjeçar, i cili rreth një muaj më parë u dërgua në gjendje të rëndë në QKUK.

Deklarimin, Hoti e ka mbështetur në raportin përfundimtar për këtë rast.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“A ka shkelje prej zyrtarëve komunalë të QPS-së ose neglizhencë? Mund ta konfirmoj që po, por më shumë nuk mund të flas në këtë aspekt”, ka thënë Hoti.

Ministri ka thënë se do t’i propozohet kryetarit të Komunës që të ndërmarrë masa disiplinore ndaj zyrtarëve përgjegjës, dhe ka paralajmëruar se do t’i hiqet licenca edhe shefes së Qendrës për Punë Sociale në Lipjan.

E, në këtë qendër kanë refuzuar t’i komentojnë deklaratat e ministrit.

“Unë nuk mund të komentoj diçka që nuk kam në zyrë. Një rast i tillë kurdo që ndodh është edhe moralisht e rëndë, sepse vetëm nëse s’je qenie njerëzore... normalisht që emocionalisht nuk mund të ndihesh mirë. Për punën e përgjegjësisë, ta shohim kur ta lëshojnë raportin institucional”, ka thënë Makfirete Shamolli, drejtoreshë e Qendrës për Punë Sociale.

Një ditë më parë, 5-vjeçari që po trajtohej në Kujdesin Intensiv në Pediatri është liruar dhe është dërguar në Qendrën për Punë Sociale në Gjakovë.

“Gjendja shëndetësore e fëmijës është stabile. Fëmija është liruar nga Klinika e Pediatrisë gjatë ditës së djeshme, pas përfundimit të trajtimit dhe vlerësimeve të nevojshme mjekësore”, thuhet në përgjigjen e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Institucionet reaguan pasi më 17 mars, fëmija u dërgua në QKUK nga të afërm, si pasojë e plagëve të rënda në shputa të këmbëve.

Shtatë fëmijët e kësaj familjeje për vite me radhë jetuan në strehimore deri kur Gjykata Themelore në Prishtinë mori vendim që ata t’i kthehen familjes biologjike.

Ministri Hoti ka alarmuar se ka kryetarë komunash që buxhetin e ndarë për qendra për punë sociale që trajtojnë raste të këtilla, e kanë çuar në çështje të tjera.

“Nuk po e marr shembull në cilën komunë, një x kryetar i komunës, sepse kjo nuk është pak. Ka ndodhur në shumë prej tyre. E ka marrë këtë buxhet dhe e ka rialokuar diku tjetër, sepse ka konstatuar që këtu nuk është e nevojshme të investohet. Qeveria ia ka dhënë buxhetin, komuna e ka rialokuar buxhetin”, ka thënë ministri Hoti.

Prindërit e 5-vjeçarit të keqtrajtuar janë arrestuar nga Policia. Ndërkaq Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë të identifikojë përgjegjësinë eventuale të zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale në Lipjan, apo zyrtarëve të tjerë kompetentë të kësaj komune, që kanë pasur kontribut direkt apo indirekt në shkaktimin e pasojave te fëmija.