Sali Salihu, profesor i Fakultetit të Bujqësisë, ka thënë se zjarret në Kosovë mund të jenë të qëllimshme. Madje, ai ka theksuar se ato mund të shkaktohen edhe nga faktorë të huaj – shtete jomiqësore.
Salihu ka thënë se autoritetet duhet të përcjellin lëvizjet e dyshimta për të parandaluar një gjendje që mund të jetë katastrofale për ekonominë e shtetit.
“Meqë Kosova është i vogël dhe i rrethuar kryesisht jomiqësore, shumë lehtë, nëse nuk e kemi të aktivizuar shërbimin e inteligjencës që të përcillen individë, ka mundësi që njerëz të caktuar, një shtet fqinj, të shkaktojë panik dhe dëm katastrofal duke i djegë fushat. Për një ditë ka mundësi që tërë Kosovën ta përfshijë në zjarr”, ka thënë ai.
Edhe drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Genc Metaj, ka thënë se kur ndodhin disa zjarre brenda pak orësh, lë dyshime se ato kanë qenë të qëllimshme dhe si të tilla mund të jenë rrezik për sigurinë kombëtare.
“Sulmet me zjarrin, dyshimi im është që kanë qenë të koordinuara atë ditë kur janë djegë fushat e grurit. Është çështje e hetuesisë të merret, por kur ka raste të tilla i cilësoj të ngjashme me sulme terroriste sepse rrezikohet siguria kombëtare. Kur shkaktohen për 3 orë 60 zjarre të gjitha në grurë, tani janë përhapur edhe në male, kjo është çështje shumë serioze”.
Sefedini: Gjithë këto zjarre në Kosovë e asnjë zonë mbrojtëse e krijuar
Rrahman Sefedini, ekspert gjyqësor për hetim dhe mbrojtje nga zjarri, ka thënë se zjarret fushore janë më të rrezikshmet, për shkak të përhapjes së tyre.
Ai ka theksuar se asnjë zonë mbrojtëse kundër zjarrit në Kosovë nuk është krijuar pavarësisht situatës, sidomos gjatë sezoneve të verës. Siç ka thënë ai, secili duhet ta mbrojë pronën e vet për të parandaluar përhapjen apo nisjen e një zjarri.
“Në aspektin profesional zjarr vetvetiu nuk shafqet asnjëherë, dikush duhet ta ngacmojë. Nëse nuk respektohen masat mbrojtëse ndaj zjarrit, nuk mund të themi që zjarri ka ndodhur vetvetiu. Ti po ia liron rrugët një zjarri të ndodhë, 20 hektarë 30 hektarë, po djegën shtëpia pa krijuar asnjëherë zonë mbrojtëse nga ai zjarr, pa pasur asnjëherë një materie shuese, nuk mund zjarrfikësi 15 minuta ta shuajë një zjarr... Specifikohet edhe në ligj, je i obliguar ta mbrosh pronën tënde. Asnjë zonë mbrojtëse në Kosovë, gjithë këto zjarre që po kalon nga një vend në tjetër nuk po krijohen zona mbrojtëse”, ka thënë Sefedini në “Konfront”.
Metaj: E kemi menaxhuar më së miri në rajon problemin me zjarret
Genc Metaj, drejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, ka thënë se në Kosovë, krahas rajonit, është menaxhuar më së miri problemi me zjarret.
Ai ka thënë se aktualisht gjendja me zjarret është stabile, pavarësisht thatësirave.
“Kemi pasur përballje sfiduese por kemi arritë që me sukses ta menaxhojmë situatën dhe e kemi menaxhuar më së miri në rajon, ndoshta edhe më larg... E quajmë sukses sepse nuk ka djegie kolektive të banimit, nuk ka humbje të jetëve. Zjarret nuk janë përhapur në masë të madhe, reagimi ka qenë i shpejt”, ka thënë ai në "Konfront".