Në ditën e dytë të vitit të ri shkollor, nxënës të katër klasave të shkollës “Ismail Qemali” në Prishtinë janë detyruar që për zhvillimin e mësimit, të zhvendosen nga kati përdhes në ato më të larta. Kjo, për shkakun se hapësira gjatë ditës është vërshuar nga ujërat e zeza, të cilat janë derdhur si pasojë e shpërthimit të pusetave në oborr, në atë që ka shkaktuar edhe kundërmim të padurueshëm. Renovimet e parapara në banjat e kësaj shkolle nuk janë realizuar sivjet. E në DKA dhe në Komunën e Prishtinës nuk janë përgjigjur në pyetjet se përse punimet nuk janë kryer gjatë periudhës sa ka qenë pushimi veror
Shpërthimi i pusetave në oborrin e shkollës “Ismail Qemali” ka mbushur me ujëra të zeza dhe me kundërmim katin përdhes të kësaj shkolle në Prishtinë, duke e pamundësuar zhvillimin e rregullt të procesit mësimor për nxënës të katër klasave.
Në këtë shkollë, viti i ri shkollor ka nisur me banja të dëmtuara, punimet për renovimin e të cilave dhe të rrjetit të kanalizimit nuk janë zhvilluar gjatë periudhës sa ka zgjatur pushimi veror për nxënësit.
E mbulimi i hapësirës së shkollës me ujëra të zeza dhe që e ka nxitur bartjen e nxënësve nëpër të katër klasat në hapësira të kateve të mësipërme, sipas punonjësve teknikë të shkollës nuk ka ndodhur për të parën herë të martën.
“Nxënësit nuk kanë mundur ta mbajnë mësimin këtu. Disa e kanë mbajtur në sallë të arsimtarëve, disa në klasa tjera. Tmerr është. Që prej orës 7 jemi duke u përpjekur që ta heqim (ujin). Nuk është hera e parë që po ndodh kështu”, ka thënë njëri prej punëtorëve teknikë të shkollës.
Kjo situatë ka shkaktuar shqetësim edhe te prindërit dhe te shoqëruesit e fëmijëve që i vijojnë mësimet në këtë shkollë.
Xhelal Zeqiri, i cili e ka nipin nxënës në “Ismail Qemali”, ka thënë se problemet me banjat dhe me kundërmimin në shkollë janë përsëritur prej kohësh.
“Si mos të jetë shqetësuese, kur fëmijët tanë jetojnë 3-4 orë në atë aromë që nuk lejohet për njerëzit, e sidomos për fëmijët. Shqetësuese për secilin prind kjo situatë”, është shprehur ai.
Mimoza Krasniqi, drejtore në shkollën “Ismail Qemali”, ka thënë se depërtimi i ujërave në bodrumin e objektit ka ndodhur shkaku se rrënjë të lisave në oborr e kanë bllokuar pusetën.
“E kemi thirrur DKA-në, është menaxhuar problemi për mënjanimin e përkohshëm. Drejtoria për Investime Kapitale ka për ta bërë rregullimin. Unë e kam bërë kërkesën, arsyeja ka qenë një pusetë e jashtme e shkollës, e cila është bllokuar prej rrënjëve të drurëve. Ato i kanë largu dhe pritet një renovim më i përhershëm”, ka thënë Krasniqi.
Ajo ka theksuar se shkolla ka marrëveshje me Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA) për renovimin e plotë të shkollës, duke nisur nga marsi i ardhshëm. E pyetur se përse renovimet nuk janë realizuar gjatë periudhës së pushimit veror dhe se ku do të zhvendosen nxënësit në kohën kur ato të realizohen, Krasniqi nuk ka dhënë përgjigje.
E KOHA ka mësuar nga disa prindër se janë njoftuar që punimet për renovime do të bëhen gjatë këtij viti. Në njoftimin, i cili u është përcjellë prindërve dhe të cilin e ka siguruar KOHA, thuhet se mirëmbajtja e banjave është një prej kërkesave kryesore dhe kompetencë e Komunës së Prishtinës.
“Nga ana jonë është ngritur çështja e mirëmbajtjes dhe pastrimit të shkollës. Ky shërbim menaxhohet nga Komuna e Prishtinës përmes një aktiviteti të prokurimit, ku përfitimi i mjeteve higjienike dhe stafit për pastrim varet nga sipërfaqja në metra katrorë. Edhe pse shkolla jonë ka numrin më të madh të nxënësve në Kosovë, ajo renditet e katërta në Prishtinë për nga madhësia e objektit, çka ka ndikuar në përfitimin më të ulët të këtyre shërbimeve/mjeteve. Një ndër pikat kyçe të kontratës është që tualetet të jenë gjithmonë të pastra dhe pa kundërmim – një standard që assesi nuk po arrihet”, është thënë në njoftimin dërguar prindërve.
Lidhur me çështjen, KOHA e ka kontaktuar disa herë nëpërmjet telefonit dhe emailit drejtorin e Arsimit të Komunës së Prishtinës, Samir Shahini, porse ai nuk është përgjigjur.
Përgjigje në pyetjen se përse renovimet nuk janë kryer gjatë pushimeve verore nuk kanë dhënë as në Komunën e Prishtinës. E në Drejtorinë për Investime Kapitale nuk kanë treguar për afatin kur pritet që të bëhet rregullimi i përhershëm i problemit me puseta në këtë shkollë.