Me remonte të blloqeve në dy termocentralet e KEK-ut dhe subvencionim të energjisë elektrike, Qeveria Kurti po synon që ta zbusë krizën energjetike të paralajmëruar për në dimër.
Kryeministri Albin Kurti para nisjes për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku pritet të nënshkruhet marrëveshja me MCC-në për projektet për energji, ka thënë se remontet e njësive po bëhen që në muajt e dimrit të ketë sa më shumë prodhim vendor të energjisë.
Marrëveshja me MCC-në kap vlerën prej 236.7 milionë dollarësh, me të cilat mes tjerash parashihen blerja dhe instalimi i baterive për ruajtjen e energjisë.
Por, projekti nuk do të ndikojë në zbutjen e krizës energjetike këtë vit, pasi ai pritet që të hyjë në funksion tek në vitin 2025-2026.
Deri në atë kohë Qeveria mbetet që të investojë në kapacitetet e vjetruara të KEK-ut.
“Ne kemi shumë qymyr, ne do të dëshironim që sa më parë të vijë një ditë kur nuk do të mund të kemi nevojë që të ndotet ambienti, mirëpo në këtë dimër dhe në një periudhë në vijim që nuk mund ta parashikojmë tani, nuk do të mund ta eliminojmë përdorimin e qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike në vendin tonë. Duke pasur parasysh edhe gjendjen ekzistuese, të dhënat që na vijnë nga shtetet dhe kompanitë e tjera, parashikimet deri diku që përpiqemi t’i bëjmë, duam që me gjithë çfarë dimë dhe mundemi t’ia kalojmë sa më lehtë dimrin 2022-2023”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.
Kurti nuk e ka përjashtuar mundësinë e subvencionit të Qeverisë në rast të krizës energjetike.
“Ne gjithmonë jemi në ballë të betejave që i kanë qytetarët e Republikës, përfshirë këtu edhe subvencionimin që bëjmë. Qeveria e Republikës së Kosovës gjithmonë ka ndarë mjete për subvencionim në mënyrë që kostoja të mos reflektohet, apo sa më pak të reflektohet te qytetari, pra është fjala për koston e shtuar në kushtet e krizës energjetike”.
Çmimi i energjisë ka shënuar rritje edhe gjatë muajve të verës. Përveç pandemisë, hov iu dha edhe nisja e pushtimit të Ukrainës nga Rusia në fund të shkurtit.
Pas trendit të rritjes së çmimeve dhe mungesës së subvencionimit të zotuar nga Qeveria, tashmë KESCO ka paraqitur një kërkesë për rishqyrtim të tarifave të energjisë, e cila pritet që të shqyrtohet brenda 20 ditësh nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.