Futboll

“Hallakamë” te Newcastle

isak

Futbollisti suedez, Alexander Isak, ka thënë se premtimet nuk janë mbajtur nga Newcastle United dhe se raportet nuk mund të vazhdojnë teksa synon të shtyjë përpara largimin nga klubi anglez gjatë verës. 19 ditë kanë kaluar qëkur Newcastle e refuzoi ofertën prej 110 milionë funtesh të Liverpoolit për sulmuesin më të mirë.

BBC-ja ka raportuar të mërkurën se Isaku ka besuar që do t’i lejohej largimi nëse një klub i madh e kërkon dhe paguan çmimin e duhur.

Të martën, futbollisti publikoi një deklaratë në Instagram duke treguar se përse nuk po merr pjesë në ceremoninë e çmimeve të Shoqatës së Futbollistëve Profesionalë, në të cilën ai u përfshi në ekipin më të mirë të sezonit.

“Kam heshtur për kohë të gjatë, përderisa të tjerët kanë folur. Kjo heshtje ua ka lejuar njerëzve t’i shtyjnë versionet e tyre, edhe pse e dinin se kjo nuk e reflekton atë që është thënë dhe që jemi pajtuar prapa dyerve. Realiteti është se premtimet janë dhënë dhe se klubi e ka ditur qëndrimin tim për kohë të gjatë”, ka thënë ai tek ka shtuar se “kur premtimet dhe besimi thyhen, marrëdhënia nuk mund të vazhdojë”.

E në një kundërpërgjigje “Newcastle i dëshpëruar” ka thënë se futbollisti është nën kontratë dhe “nuk ka pasur asnjë zotim nga ndonjë zyrtar i klubit se ai mund të largohet këtë verë”.

“Siç ia kemi shpjeguar Alexit dhe përfaqësuesve të tij, ne duhet të marrim në konsideratë interesat më të mirë për Newcastle Unitedin, ekipin dhe përkrahësit tanë në të gjitha vendimet dhe kemi qenë të qartë se kushtet për shitje këtë verë nuk janë arritur. Ne nuk parashikojmë që këto kushte të përmbushen, u tha në reagim të klubit.

25-vjeçari ka qenë emri më i përfolur në këtë afat kalimtar që mbyllet më 1 shtator. Liverpooli tani pritet të vendosë se a do të bëjë ofertë më të majme apo jo.